Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka shkruar sot për takimin e djeshëm që pati me presidenten Vjosa Osmani, me të cilën ka diskutuar për procesin e konstituimit të institucioneve.

Rohde konstatoi se ka “ngërç institucional” pas pretendimeve nga kryeparlamentari Dimal Basha se Kuvendi i Kosovës është konstituuar.

Ai tha se Osmanit ia ka shprehur shqetësimet e tij për “ngërçin e vazhdueshëm politik dhe institucional”, ndërsa tha se ka vënë në dukje edhe diskursin e fundit për dyshime ndaj vendimeve gjyqësore.

Rohde paralajmëroi se ky diskurs zvogëlon besimin në organet e drejtësisë dhe pavarësinë e gjyqësorit.

“Në takim shpreha shqetësimin tim për ngërçin e vazhdueshëm politik dhe institucional, si dhe për diskursin publik të kohëve të fundit që hedh dyshime mbi vendimet gjyqësore, pasi zhvillime të tilla rrezikojnë të gërryejnë besimin e publikut në pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit”, ka thënë Rohde.