Komiteti i Ministrave i Këshillit të Europës ka votuar me mbi 2/3 e votave të shteteve anëtare pro procedimit të aplikimit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare e Këshillit të Europës.
E për këtë ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka thënë se pas liberalizimit të vizave ky akt i Komitetit të Ministrave e ofron Kosovën edhe më afër familjes evropiane. Por deri te anëtarësimi i plotë ka kërkuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit duke përfshirë edhe implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
”Urimet e mia për të gjithë kosovarët! Vazhdimi i zbatimit të Ohrit duke përfshirë Asociacionin është vendimtar për të ecur përpara”.
”Pas vendimit të javës së kaluar për vizat, votimi i sotëm i #CoE për ta përcjellë aplikacionin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare e sjell vendin sërish më pranë familjes europiane. Gjermania dha mbështetje të plotë në këtë hap”, ka shkruar ai në Twitter.
Kosova synon që të bëhet pjesë e Këshillit të Europës, sidomos pas përjashtimit të Rusisë.
Por Beogradi vazhdon të kundërshtojë çdo integrim të Kosovës në struktura euro-atlantike.