Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka folur për forcimin e sundimit të ligjit dhe përgatitjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, por ka theksuar se kjo nuk do të ndodhë pa ecur përpara me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përcjell Reporteri.net.
Pas një takimi me përfaqësues të organizatave joqeveritare IKD dhe FOL me të cilët tha se foli për përmirësimin e qasjes në drejtësi në përputhje me standardet e KiE, Rohde tha se Gjermania mbetet e përkushtuar për ta anëtarësuar Kosovën në KiE sa më parë.
“Për ta forcuar sundimin e ligjit dhe për t’u përgatitur Kosova për Këshillin e Evropës ne do ta mbështesim projektin e përbashkët të Institutit të Kosovës për Drejtësi/FOL për ta përmirësuar qasjen në drejtësi në përputhje me standardet e KiE. Gjermania mbetet e përkushtuar për ta futur Kosovën në Këshill sa më shpejt. Ecja përpara me Asociacionin do ta bëjë këtë të ndodhë”, shkroi Rohde në “X”.
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net javë më parë, ka thënë se hapi i fundit i Qeverisë së Kosovës, për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me draft-statutin për Asociacionin, ishte hap i pritshëm e konkret, ndonëse, thotë se “ende nuk kanë ndodhur hapat e vështirë”.
“QUINT-i dhe të tjerët kanë theksuar vazhdimisht se Kosova pritet të ndërmarrë hapa realë për themelimin e Asociacionit në mënyrë që të arrijë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Komitetin e Ministrave që aplikimi për anëtarësim të jetë i suksesshëm”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.
Sipas ambasadës, dorëzimi i draft-statutit në Kushtetuese është një ndër hapat që Kosova ka paralajmëruar.
Kosova i ka kaluar dy prej tri fazave të nevojshme për pranim në Këshill të Evropës, organizatën lidere në fushën e të drejtave të njeriut.
Në hapin e tretë – miratimin e anëtarësimit në Komitet të Ministrave – Kosova nuk është përfshirë në agjendë, pasi nuk ka bërë hapa të mjaftueshëm drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Një ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, autoritetet e Kosovës kanë thënë se gjatë muajit maj do të dërgojnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, një propozim për formim të Asociacionit, mirëpo zyrtarë të lartë të Perëndimit kanë thënë se diçka e tillë është e pamjaftueshme për të plotësuar kushtin.