Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës që të kenë kujdes gjatë blerjes së pajisjeve elektrike që do të subvencionohen nga Qeveria, raporton teve1.info
Në emisionin Këndi i Debatit në Tëvë1, Rizvanolli tha se aktualisht në treg ndodhen edhe disa pajisje që kanë etiketë të vjetër të efiçiencës së energjisë e të cilat nuk i subvencionon Qeveria.
Sipas Rizvanollit, për informim më të saktë, Qeveria do të bëjë edhe një kampanjë rreth këtij sqarimi, derisa i ka ftuar qytetarët që t’i përcjellin kampanjat informuese të Qeverisë rreth etiketës efiçiente të cilën e subvencionon Qeveria, e përcaktuar sipas rregullave të BE-së.
“Ju lutem të keni kujdes që kur të bleni pajisje, kjo ka të bëjë për thirrjen që është aktualisht, për enëlarëse, rrobalarëse dhe frigorifer. Për disa prej këtyre: pajisjeve për enëlarëse dhe frigorifer, ka dy lloj të ndryshme të etiketave. BE i ka ndërruar në vitin 2021 etiketat dhe disa biznese fatkeqësisht kemi informata se janë duke e keqpërdorur, duke e keqpërdorur këtë fakt, duke i reklamuar produktet e tyre si efiçiente, shembull kategorisë A ose B. Jemi duke fol për etiketat që janë shumë mirë në posterat promovues për qytetarë që i kemi bërë. Qytetarët mund të shohin se si duket etiketa e re, si duhet të duket etiketa që do të subvencionohet dhe ajo është etiketa që duhet ta kërkojnë. Ndërsa në disa raste kemi parë që po i reklamojnë produktet duke treguar vetëm klasën e energjisë dhe duke mos i informuar qytetarët drejt që në fakt etiketa është e vjetër dhe efiçienca është më e ulët që nuk do të subvencionohet”, tha ministrja Rizvanolli.
Ajo shtoi se për këto raste është informuar edhe Inspektorati i Tregut dhe se do të bëhet thirrje shtesë për këto kategori të subvencionimit.
“E kemi informuar inspektoratin e tregut por për këto do të bëjmë edhe një thirrje shtesë qytetarëve për kujdes në këtë aspekt. Është mëkat që një skemë e tillë që ka kaq shumë interesim synohet që të keqpërdoret nga disa, janë pak, janë shumë pak, por janë disa që synojnë ta keqpërdorin këtë subvencionim”, tha Rizvanolli.