Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka deklaruar se greva e minatorëve në ndërrmarjen “Trepça” nuk është në përputhje dhe nuk i plotëson standardet sipas ligjit.
Rizvanolli në një videolidhje nga Franca, për Tëvë1, tha se gjatë kësaj kohe kanë qarkulluar informata të ndryshme sa i përket grevës së sindikalistëve por që sipas saj, kjo nuk do të thotë se janë të gjitha të sakta.
“Gjatë kësaj kohe kanë qarkulluar informata të ndryshme jo të gjitha të sakta, sido që të jetë unë do ti përshkruaj informatat zyrtare nga Bordi i Trepçës. Më 23 tetor në Qeveri kemi ndarë më shumë se 1.6 milionë euro në mënyrë që Trepça të mund t’i ndajë pjesën tjetër të pagave për muajin shtator. Përkundër kësaj, pavarësisht që ne i kemi informuar edhe përfaqësuesit e sindikatës që pagat do të ekzekutohen, të martën disa punëtorë, numrin e të cilëve nuk e dimë sepse nuk është raportuar kurrë, kanë hyrë në grevë”, tha Rizvanolli.
“Çfarë është shqetësuese për ne, është që greva nuk është në përputhje, nuk i plotëson standardet sipas ligjit dhe kjo nuk është çështje se po i shohim gjërat formale të plotësimit të ligjit apo jo, mirëpo është brengosëse kur e ke një gjendje të deklaruar greve në të cilën nuk ka një këshill organizativ i cili i përfaqëson punëtorët. I cili siguron kushtet, mbanë përgjegjësi edhe për komunikim në emër të punëtorëve, edhe për kushtet në të cilat punëtorët gjinden”, tha ajo
Derisa sipas ministres, ende nuk dihet as numri i saktë i grevistëve, koha kur dalin e hyjnë punëtorët në grevë pasi sipas saj, nuk është dhënë kurrë një raport mbi gjendjen as nga Sindikata e as nga drejtorët e njësive përkatëse.
“Nuk e kemi as numrin e saktë të grevistëve, ne nuk e dimë as numrin e punëtorëve se kur hynë e kur dalin në grevë. Nuk është dhënë kurrë një raport, as nga sindikata as nga drejtorët e njësive se sa punëtorë janë në grevë. Kush janë ata dhe cila është gjendja e tyre shëndetësore”, shtoi ajo.
Kujtojmë që minatorët e Trepçës kanë hyrë në ditën e tetë të grevës.
Numri i minatorëve të Trepçës të cilët po kërkojnë ndihmë mjekësore po vazhdon të rritet.
Edhe sot një grevisti i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, dhe është bartur nga miniera për të marrë ndihmë mjekësore.
Kërkesat e tyre janë realizimi i pagës nga data 6 deri me datën 10 të çdo muaji, dorëheqja apo shkarkimi i u.d i kryeshefit, Enis Abdurrahmani dhe kërkesa për sigurim shëndetësor dhe përmirësimin e kushteve.