Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se këtë vit por edhe vitin e ardhshëm Kosova do të kalojë periudhë sfiduese me energjinë elektrike për shkak se blloqet duhet të ndalen. Kjo sepse, sipas saj, po investohet në modernizim dhe rehabilitim të termocentraleve.
Derisa ka folur për kërkesën e KESCO-s për rritje të çmimit të rrymës, Rizvanolli ka theksuar se edhe pse ende nuk ka një vendim për këtë çështje, disa zhvillime në sektorin e energjisë mund të kenë pasoja në atë aspekt.
Ajo ka paralajmëruar import të lartë të energjisë elektrike edhe këtë vit.
“Së pari duhet theksuar se lajmi që është publikuar ka të bëjë me kërkesën e furnizuesit dhe operatoreve të tjerë, por nuk ka një vendim ende. Ndërsa duhet pasur parasysh disa zhvillime që janë objektive në sektor të energjisë që do të mund të kenë pasoja në këtë aspekt. Në Korporatën Energjetike të Kosovës vitin e kaluar kanë filluar investime në modernizim dhe rehabilitim që nuk janë bërë për 40 vjet. Kjo do të thotë që për këto vite, vjet, sivjet dhe vitin e ardhshëm ne do të kalojmë një periudhë sfiduese, sepse blloqet duhet të ndalen, është e domosdoshme të ndalen për një kohë për disa muaj, në mënyrë që investimet të realizohen. Kjo është një sakrificë që duhet të bëjmë ne, për ne dhe gjeneratat e ardhshme”, ka thënë ajo gjatë ceremonisë së përurimit të investimeve në efiçiencë të energjisë në Shkollën e Mesme Ekonomike ‘Isa Boletini’ në Podujevë.
Rizvanolli ka shtuar se investimi në KEK ka qenë edhe arsyeja pse më 2025 “është dashur të importojmë më shumë, pra, ka arsyeje objektive pse importi është rritur, pse importi pritet të jetë i lartë edhe gjatë këtij viti, mirëpo edhe gjatë vitit të ardhshëm”.
KESCO ka bërë kërkesë tek Zyra e Rregullatorit për Energji për rritjen e tarifave për 21 për qind.






