Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se për 26 vjet furnizimi me ujë të pijshëm i komunave veriore nga KRU Mitrovica i ka kushtuar Kosovës 19.5 milionë euro, pa inkasuar asnjë cent.
Ajo ka theksuar se furnizimi ka vazhduar pa asnjë problem, përveç ditëve pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, i cili u shkaktua nga Serbia dhe marionetat e saj në Kosovë.
“Çdo brengë e shprehur nga Qeveria e Serbisë dhe Lista Serbe për kinse ‘mosbesim ndaj KRU Mitrovicës’, nuk është brengë për qytetarët serbë të Kosovës, por për humbjen e fuqisë së vet për të shantazhuar e për të blerë votën e serbëve të Kosovës përmes institucioneve ilegale”, ka shkruar Rizavnolli.
Tutje ajo tha se Qeveria dhe ndërmarrjet publike janë të përkushtuara për të ofruar shërbime cilësore dhe të sigurta, në përputhje me standardet më të larta të ligjit, për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Sigurojmë qytetarët e Kosovës dhe të gjitha palët se brengat për zëvendësimin e administratës së furnizimit dhe aseteve nga strukturat paralele ilegale, jashtë kornizës ligjore, kontrollit dhe mbikëqyrjes nga institucionet e Republikës së Kosovës, me administrim nga një ndërmarrje e licencuar, të rregulluar dhe monitoruar nga institucionet e Republikës së Kosovës, janë thjesht të pabaza”, tha Rizvanolli.
Ajo gjithashtu tha se ofrimi i shërbimit nga KRU Mitrovica sipas marrëveshjeve të nënshkruara me komunat në janar të këtij viti mundëson furnizim cilësor dhe të sigurt dhe investime në rrjet dhe mirëmbajtjen e tij.
“Po ashtu, për të mundësuar investimet e duhura për përmirësim të shërbimit dhe fillimin e matjes dhe inkasimit, KRU Mitrovica ka kërkuar mbështetje financiare edhe nga Fondi Zhvillimor për komunat veriore të Kosovës”, tha ajo.