Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka akuzuar Odën Ekonomike të Kosovës për veprime me prapavijë politike, duke e quajtur atë akter politik opozitar, teksa ka folur për zhvillimet në tregun e liberalizuar të energjisë.
Në një konferencë për media, Rizvanolli deklaroi se sipas informatave që ka dëgjuar, OEK po i inkurajon bizneset që të mos aplikojnë në thirrjen për grante deri në 25 mijë euro, të hapur nga Ministria e Ekonomisë.
“Kemi hapur një thirrje për grante deri në 25 mijë euro, ku të drejtë aplikimi kanë të gjithë prodhuesit vendorë, ndërsa përparësi kanë ndërmarrjet që operojnë në tregun e liberalizuar të energjisë. Nga ajo që po dëgjoj dhe që po përflitet, OEK në rolin e një akteri politik opozitar është duke i inkurajuar kompanitë të mos marrin pjesë në këtë skemë”, tha Rizvanolli.
Ajo u bëri thirrje të gjitha kompanive prodhuese që kanë kaluar në tregun e lirë të energjisë që të aplikojnë, duke theksuar se grantet mund të shfrytëzohen për investime në efiçiencë të energjisë, sisteme solare apo izolim të ndërtesave.
“Ftoj të gjitha kompanitë prodhuese që kanë dalë në tregun e energjisë që të aplikojnë për grante deri në 25 mijë euro, për investime në efiçiencë të energjisë, sisteme solare apo izolim të objekteve”, theksoi ministrja.






