Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimeve për protesta nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), duke i cilësuar veprimet e saj si përpjekje për të mbrojtur interesat e një pakice të fuqishme të bizneseve, në dëm të shumicës dhe qytetarëve.
Në një reagim në Facebook, pas një takimi me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe përfaqësues të sektorit prodhues, Rizvanolli u zotua për mbështetje të vazhdueshme për prodhuesit vendorë përballë sfidave që sjell liberalizimi i tregut të energjisë, duke theksuar se kjo përballje nuk duhet të udhëhiqet nga frika, por nga vullneti për zgjidhje.
“Ne do të qëndrojmë bashkë, përkrah prodhuesve vendorë në çdo sfidë që sjell liberalizimi i tregut, siç kemi bërë gjithmonë,” deklaroi ministrja.
Ajo akuzoi OEK-un se, që nga njoftimi i ZRrE-së për liberalizimin e tregut në mars, ka përhapur panik përmes “parashikimeve apokaliptike për inflacion dhe humbje të vendeve të punës”, duke i nxitur qytetarët të bëhen lobues të pavetëdijshëm për 1%-shin e kompanive më të fuqishme që preken nga ky proces.
“Kjo nuk është zgjidhje – kjo është zhvendosje e kostove të energjisë tek qytetarët dhe 99%-shi i bizneseve të vogla, që nuk kanë zë aq të fuqishëm,” u shpreh Rizvanolli, duke e quajtur këtë qasje të OEK-ut si tendencë për të shantazhuar institucionet.
Ajo theksoi se paralajmërimi i protestës përmes bllokimit të rrugëve kryesore, është akt që i bart problemet tek qytetarët, në vend se të kontribuojë në zgjidhje.
“Bartja e problemit te qytetarët duket se është e vetmja gjë për të cilën kanë vullnet,” shtoi ajo.
Rizvanolli u bëri thirrje OEK-ut dhe të gjitha palëve të përfshira që t’u bashkohen përpjekjeve institucionale për uljen e kostos së energjisë për prodhuesit, në të mirë të konkurrueshmërisë dhe zhvillimit ekonomik.
“Nëse nuk dëshirojnë ta bëjnë këtë dhe insistojnë në rrugën e lehtë në dëm të interesit publik, atëherë është mirë së paku t’ua shpjegojnë 99%-shit tjetër të bizneseve se pse lobojnë për 1%-shin në kurriz të tyre,” përfundoi Rizvanolli.
Kjo deklaratë vjen vetëm një ditë para protestës së paralajmëruar nga OEK, e cila pritet të zhvillohet më 29 maj me bllokim të pjesshëm të rrugëve hyrëse në Prishtinë.