Sekretari amerikan i shtetit Anthony Blinken shprehu “dyshime serioze” në lidhje me rezultatet e shpallura.
“Ne kemi frikë SE rezultati i shpallur nuk pasqyron vullnetin apo votën e popullit venezuelian”, tha Anthony Blinken gjatë një konference për shtyp në Japoni, duke vlerësuar se “komuniteti ndërkombëtar po e vëzhgon situatën nga afër dhe për këtë arsye do të reagojë”.
Kreu i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell, bëri thirrje për “transparencë të plotë në procesin zgjedhor” në Venezuelë.
“Populli venezuelian votoi për të ardhmen e vendit të tij në mënyrë paqësore dhe në numër të madh.
Vullneti i tij duhet respektuar. Është absolutisht e nevojshme të sigurohet transparencë e plotë e procesit zgjedhor, duke përfshirë numërimin e detajuar të votave dhe aksesin në të dhënat e numërimit në qendrat e votimit”, tha ai.
Ministri i Jashtëm spanjoll Jose Manuel Alvarez gjithashtu bëri thirrje për “transparencë të plotë” përmes “publikimit të rezultateve, qendra votimi në qendër votimi, në mënyrë që të mund të verifikojmë rezultatet”.
Homologu i tij italian Antonio Tajani shprehu dyshime për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, duke kërkuar “rezultate të verifikueshme dhe akses në dokumente”.
Për presidentin e Kilit, Gabriel Boriç, “regjimi i Maduros duhet të kuptojë se rezultatet që publikon janë të vështira për t’u besuar”. Ai paralajmëroi se “Kili nuk do të njohë asnjë rezultat që nuk është i vërtëtë”.
“DIKTATOR MADURO, LARGOHU!”, tha presidenti i Argjentinës, Javier Milei.
“Populli venezuelian ka zgjedhur t’i japë fund diktaturës komuniste të Nicolás Maduro,” tha ai.
Presidenti i Kosta Rikës, Rodrigo Chavez, nuk ka pranuar shpalljen e fitores së Maduros, të cilën ai e përshkruan si “mashtrim”.
Ai shtoi se vendi i tij do të “bashkëpunojë me qeveritë e tjera demokratike të kontinentit dhe organizatat ndërkombëtare për të respektuar vullnetin e pacenueshëm të popullit venezuelian”.
Peruja dhe Uruguai apo edhe Guatemala shprehën dyshimet e tyrë në lidhje me transparencën në zgjedhje. Nicolas Maduro mori mbështetjen e aleatëve të tij të zakonshëm: Kuba, Nikaragua, Bolivia dhe Hondurasi.
Presidenti kuban Miguel Diaz-Canel tha se ai telefonoi “vëllain e tij” Nicolás Maduro për ta uruar atë për “triumfin e tij historik elektoral”.
Kina, e cila ka lidhje të ngushta me Venezuelën, uroi Maduro dhe tha se ishte “e gatshme të pasurojë partneritetin e zakonshëm strategjik dhe të sigurojë që njerëzit e të dy vendeve të përfitojnë”, sipas zëdhënësit diplomatik kinez Lin Jian.
Nga ana e tij, presidenti rus Vladimir Putin ka uruar sot Nicolas Maduro për rizgjedhjen e tij në presidencën e Venezuelës, duke thënë se Moska ka një partneritet strategjik me vendin e Amerikës Latine dhe se Maduro është gjithmonë i mirëpritur në Rusi
“Marrëdhëniet Rusi-Venezuelaë kanë karakterin e një partneriteti strategjik”, tha Putin në një mesazh drejtuar Maduros.
“Kam besim se aktivitetet tuaja si kreu i shtetit do të vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin e tyre progresiv në të gjitha drejtimet.
Kjo plotëson plotësisht interesat e popujve tanë miq dhe është në përputhje me ndërtimin e një rendi botëror më të drejtë dhe demokratik,” tha Putin.
“Dëshiroj të konfirmoj gatishmërinë tonë për të vazhduar punën tonë të përbashkët konstruktive për çështjet aktuale në axhendën dypalëshe dhe ndërkombëtare.” “Mos harroni se ju jeni gjithmonë një mysafir i mirëpritur në tokën ruse”, përfundoi ai.