Më herët gjatë ditës, këngëtarja 34-vjeçare tërhoqi vëmendjen me një fustan ngjyrë blu me jakë, teksa shkoi për të parë nga afër koleksionin pranverë/verë 2026 të brendit të njohur italian, shkruan DailyMail.
Ylli vazhdoi ta mbante të veshur fustanin edhe më vonë, por kësaj here e kishte kombinuar me një xhaketë prej lëkure të zezë.
Rita u përpoq të qëndronte diskrete teksa pinte cigaren e saj, ndërsa pamjen e kompletoi me një palë syze dielli aviator me xhama të errët.
Shfaqja e saj në Milano vjen vetëm pak ditë pasi publikoi klipin e ri muzikor për këngën “All Natural”, të cilin e ka realizuar bashkëshorti i saj, regjisori i njohur Taika Waititi, 50 vjeç.
“All Natural” është kënga e dytë që Rita publikon këtë vit, pas suksesit të “Heat” në qershor. Në klipin e ri, ajo shfaqet me një trup të tonifikuar, e veshur me një kanotierë të bardhë dhe të brendshme të së njëjtës ngjyrë, duke vallëzuar mbi një karrige, përpara se të ngrihej për të zhvilluar një koreografi. Këngëtarja debutoi edhe me flokë bionde platin, duke i dhënë më shumë shkëlqim pamjes së saj, ndërsa e kompletoi me taka të kuqe.
Kënga paraprake “Heat” pati sukses të madh, duke u përfshirë në Apple Music New Music Daily dhe në disa prej listave më të mëdha të Spotify, si dhe pati një nisje të fuqishme në vende si Britania, Gjermania dhe Australia.
Rita ndau një pjesë të klipit të ri në Instagram, ku shkroi: “Lëvizjet e ijeve nga njëra anë në tjetrën… ALL NATURAL, del të mërkurën më 24 shtator. Mund ta ruani paraprakisht në linkun në bio”.
Ndërkohë, në një intervistë së fundmi, këngëtarja ka zbuluar me humor se Sabrina Carpenter, 26 vjeçe, duket sikur “nuk po i kthen më mesazhe”. Rita tregoi se e kishte ftuar atë në një festë të Vitit të Ri, përpara se Carpenter të fitonte famë botërore me hitin “Espresso”.
“Erdhi dhe ishte fantastike. Besoj se ishte momenti kulmor para ‘Espresso’, e tani nuk mund ta kapësh më Sabrinën,” tha ajo me të qeshur, duke shtuar: “Ishte ajo kohë kur më kthehej mesazhi”.
Megjithatë, Rita u tërhoq menjëherë nga komentet, duke theksuar se ishte shaka dhe e kishte ekzagjeruar: “E kuptoj, edhe unë jam e zënë. Jo, jam duke e ekzagjeruar. Ajo më kthen mesazhe, është shumë e ëmbël”.
Këto deklarata erdhën vetëm një vit pasi Rita ndezi thashethemet për një bashkëpunim me Sabrinën, duke ndarë foto të tyre nga festa e Vitit të Ri, ku u panë së bashku edhe me këngëtaren afrikano-jugore Tyla. Fansat mbetën të bindur se ajo po jepte një sinjal për një projekt të përbashkët muzikor.
Në mbishkrimin e fotos, Rita shkroi një mesazh që nxiti edhe më shumë dyshime: “Jemi në mes të vitit, ende nuk është vonë për të nisur gjënë që kishe thënë se do ta bëje”. /Telegrafi/