Temat aktuale politike u trajtuan sot në edicionin më të ri të programit të mëngjesit.
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së po shkon drejt fundit dhe kryetari i PDK-së Bedri Hamza, tha se pret vendim lirues ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, të dy këta udhëheqën me këtë parti.
E një rikthim i mundshëm në politikë i Thaçit ose Veselit do të sillte konkurrencë më të madhe për Kurtin.
Kështu deklaruan dy gazetarët Valon Rashiti dhe Ardian Gaxherri.
Gaxherri tha se edhe pse Hamza ka bërë punë tepër të mira për vendin, për t’i fituar zgjedhjet nevojitet politikë populiste.
Ai theksoi se profile të politikanëve si Hamza, Abdixhiku e Haradinaj, e kanë të pamundur ta mposhtin Kurtin, në garë politike.
“Një Hashim Thaç, pavarësisht që na duket që ka një kohë të gjatë politikë do t’i bënte ballë z. Kurti, për shkak se partive opozitare iu duhet një frymë dhe besoj që këtë do ta krijonte Hashim Thaçi”, deklaroi Gaxherri në Klan Kosova.






