Trafiku ajror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i kthehet normalitetit, pasi të gjitha fluturimet e brendshme u ndaluan për disa orë për shkak të një defekti me sistemin e kontrollit të fluturimit.
Autoritetet e aviacionit amerikan thanë se ky defekt është rregulluar.
Gjatë kësaj kohe, rreth 4.600 fluturime u shtynë, ndërsa rreth 800 të tjera u anuluan.
Më herët Administrata Federale e Aviacionit (FAA) tha se ka një problem me sistemin që paralajmëron pilotët për rreziqet e mundshme në rrugët e fluturimit.
Presidenti amerikan, Joe Biden, është informuar për ndërprerjen e fluturimeve, dhe Shtëpia e Bardhë tha se nuk ka prova të një sulmi kibernetik deri tani. Biden ka bërë thirrje për një “hetim të plotë mbi shkaqet” e kësaj ndërprerje.
American Airlines tha se ndërprerja ndikoi te “të gjitha fluturimet, përfshirë të gjithë transportuesit”.
Pasagjerët kanë postuar në rrjetet sociale vonesat gjatë kohës së ndalimit të fluturimeve. /REL/