Rikthehen ethet e Ligës së Kampionëve, sonte super-përballja Real Madrid –  Bayern Munchen

- Advertisement -

Java e çerekfinaleve në UEFA Champions League sjell përballjet më të mëdha të sezonit, ku katër duele të forta pritet të vendosin fatin e garës për trofeun më prestigjioz në futbollin evropian.

Sonte (e martë) në “Santiago Bernabeu”, Real Madrid pret Bayern Munchen në ndeshjen e parë çerekfinale.

Përballja mes dy gjigantëve evropianë është një nga klasikët e kompeticionit.

Në këtë fazë të garës, statistikat janë në favor të skuadrës së Alvaro Arbeloas, e cila ka fituar të tre përballjet e mëparshme çerekfinale mes këtyre dy klubeve në Ligën e Kampionëve. Fitorja bindëse ndaj Manchester Cityt në raundin e kaluar vetëm sa e ka rritur edhe më shumë vetëbesimin e tyre.

Megjithatë, Bayern vjen me shpresa të mëdha, pasi këtë sezon ka qenë një nga skuadrat më të forta në kompeticion me shumë gola dhe fitore.

Po të njëjtën mbrëmje, në orën 21:00, Sporting CP përballet me Arsenal, me londinezët që synojnë një hap të madh drejt gjysmëfinales, ndërsa portugezët kërkojnë surprizën e madhe.

Të mërkurën, më 8 prill, zhvillohen dy sfida të tjera të mëdha.

Barcelona pret në shtëpi Atletico Madrid në një përballje të fortë spanjolle, ku katalanasit mbështeten te forma e sulmuesit të ri Lamine Yamal, ndërsa madrilenët te Julian Alvarez.

Në të njëjtën natë, Paris Saint-Germain do të presë Liverpool në një tjetër supersfidë.

Liverpool ka një bilanc të fortë ndaj skuadrave franceze, duke fituar shtatë nga 11 ndeshjet e fundit në Evropë kundër tyre.

Nëse arrin një rezultat të mirë në këtë takim, skuadra angleze do të ndihet shumë e favorizuar për ndeshjen e kthimit në “Anfield”, sidomos duke kujtuar edhe fitoren bindëse ndaj Galatasarayt në raundin e 16-shes.

Të ngjashme

Të fundit