23.5 C
New York
Sunday, July 27, 2025

Buy now

Riho Terras: Kosova s’mund të presë ndihmë nga BE-ja pa zgjidhur krizën e brendshme

- Advertisement -

Kriza e thellë institucionale po ndikon negativisht për Kosovën në proceset integruese.

Për më tepër, pa u konstituuar Kuvendi dhe pa u krijuar qeveria e re nuk mund të hiqen as masat ndëshkuese nga Bashkimit Evropian.

Kështu ka bërë të ditur për Tëvë1, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras.

Ai thotë se do të ishte një hap i rëndësishëm për Kosovën që sa më shpejtë të krijohen institucionet e reja.

“Krizat serioze institucionale në Kosovë me siguri do të kenë ndikim në procesin e mëtejshëm të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Përfaqësuesja e Lartë e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, ka deklaruar se BE-ja do të dëshironte të fillonte heqjen e sanksioneve të vendosura ndaj Kosovës, por kjo nuk mund të ndodhë pa u krijuar fillimisht një qeveri funksionale. Ky është hapi i parë dhe më i rëndësishëm. Vetëm pas kësaj mund të ecim përpara me sfidat e theksuara në raportin e fundit (arsim, politika e konkurrencës, drejtësia në treg dhe sundimi i ligjit, etj.)”, ka thënë Terras.

Diplomati estonez ka folur edhe për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku tha se pret mbështetje më të madhe në këtë proces nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas.

Megjithëse ai sërish e nënvizoi rëndësinë që Kosova të ketë një qeveri të re funksionale në mënyrë që të sigurojë mbështetje diplomatike nga Brukseli.

“Kjo kërkon vullnet të sinqertë nga të dyja palët, si dhe mbështetje të fortë dhe të qëndrueshme nga Bashkimi Evropian. Fatmirësisht, nuk ka pengesa politike – as nga partitë pro-Kosovës, e as nga ato pro-Serbisë – kur bëhet fjalë për anëtarësimin në BE, dhe kjo tashmë është një hap i rëndësishëm përpara. Sa i përket rolit të BE-së, gjithmonë kam theksuar se Komisioni Evropian dhe Përfaqësuesja e Lartë, Kaja Kallas, duhet të bëjnë më shumë për të avancuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Besoj se ekziston vullneti, dhe jam i bindur se mbështetja e nevojshme diplomatike do të vijë. Por, fillimisht – dhe këtë e theksoj sërish – Kosova duhet ta zgjidhë bllokadën e saj politike të brendshme. Vetëm atëherë mund të arrihet përparim domethënës’, është shprehur tutje Terras.

Më herët edhe Shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, u ka bërë thirrje partive parlamentare në Kosovë të bashkëpunojnë për ta zhbllokuar ngërçin politik në vend.

Të ngjashme

Të fundit