8.1 C
New York
Sunday, November 17, 2024

Buy now

Rigjykimi për vrasje të rëndë në Ferizaj, avokati i palës së dëmtuar kërkon 1 milion euro kompensim

- Advertisement -

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Naim Rudari ka parashtruar kërkesën pasurore- juridike në vlerë prej 1 milion euro.

Këtë kërkesë Rudari e ka bërë të premten në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku janë dhënë fjalët përfundimtare në rigjykimin ndaj të akuzuarit Leonit Muhaxheri, i cili ngarkohet se vrau B.Q në shtator 2020 në Ferizaj. Në këtë rast, së bashku me Leonit Muhaxherin akuzohen edhe Albin Balia e Eugen Bajralia për pjesëmarrje në rrahje, Rinor Jashari për kanosje e moslajmërim të veprave penale apo kryesve të tyre, si dhe Mërgim Atanasova për dhënie të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca gjyqësore e këtij rigjykimi vazhdoi me fjalë përfundimtare, me ç’rast palët në procedurë fjalën përfundimtare e dorëzuan në formë të shkruar.

Prokurori Valdet Avdiu tha se mbetet pranë fjalës së tij përfundimtare të dhënë në formë të shkruar më 5 korrik 2022, pa ndryshime dhe pa plotësime.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Naim Rudari, fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim, tha se qëndron në tërësi pranë fjalës përfundimtare. Ai shtoi se ngjarja që kishte ndodhur në shtator të 2020-tës, është e faktuar me argumente të mjaftueshme.

I njëjti deklaroi se kërkon një kompensim të kësaj humbje të madhe të familjes Qeli, edhe pse theksoi se me keqardhje ka konstatuar një shumë për të cilën sado pak do të lehtësonin familjen Qeli.

Kështu, avokati Rudari ka parashtruar kërkesën pasurore-juridike në vlerë prej 1 milion euro.

Poashtu, i dëmtuari Alorin Leka i është bashkangjitur ndjekjes penale dhe shtoi se do të paraqesë kërkesë pasurore-juridike, për çka nuk kishte të definuar një vlerë të caktuar, andaj sa i përket vlerës i la gjykatës të vendos.

Mbrojtësja e të akuzuarit Leonit Muhaxheri, avokatja Elvira Heta-Vata e dorëzoi në formë të shkruar fjalën përfundimtare, shtoi se në këtë çështje veprimet ishin naive dhe të nxitura nga të akuzuarit e tjerë ku për fat të keq njëri ka ndërruar jetë.

“I nderuar trup gjykues, rrethanat janë të përshkruara në fjalën përfundimtare të dorëzuar me shkrim, ne si mbrojtje besojm që trupi gjykues do të analizoj dhe pastaj të rikualifikoj veprën penale me të cilën akuzohet Leoniti”, tha avokatja Heta-Vata

Ndërsa, i akuzuari Muhaxheri tha se përkrah fjalën e avokates së tij dhe njeherit i shpreh ngushëllime familjarëve.

Edhe avokatët Haxhi Millari, Bekim Sylejmani, Avni Ibrahimi e dorëzuan fjalën përfundimtare me shkrim sikurse edhe të akuzuarit Albin Balija, Eugen Bajralia dhe Rinor Jashari nuk patën asgjë për të shtuar.

Poashtu, edhe mbrojtësja e të akuzuarit Mërgim Atanasova fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim, shtoi se provat e administruara nuk kanë vërtetuar se i akuzuari Mërgim ka kryer veprën penale si në këtë aktakuzë.

“Gjykatës i propozoj që të vij në përfundim siç është cekur në fjalën përfundimtare me shkrim, dhe të akuzuarin Mërgim ta liroj nga akuza” tha avokatja Shefkiu

I akuzuari Mërgim Atanasova tha se qëllimi i tij ka qenë vetëm me largu Leonitin nga ajo përleshje.

“Unë vetëm deshta me largu Leonitin nga përleshja, kam qëllu rastësisht aty së bashku me bashkëshorten time, nuk e kam dit që jam tu kry vepër penale”, tha i akuzuari Atanasova

Kështu, para përfundimit të pritshëm të shqyrtimit gjyqësor, avokatja Elvira Heta-Vata propozoi që të mbahet seanca për caktimin e dënimit.

Lidhur me këtë propozim avokatët Arbnora Shefkiu, Haxhi Millari, Avni Ibrahimi, Bekim Sylejmani njëzëri deklaruan se heqin dorë nga seanca për caktimin e dënimit. Poashtu, prokurori Valdet Avdiu tha se heq dorë nga seanca për caktimin e dënimit.

Gjykatësi Ilir Bytyqi, njoftoi se në lidhje me këtë propozim do të vendos jashtë seancës për çka palët në procedurë do të njoftohen me kohë për rrethanat.

Ndryshe, më 14 dhjetor 2022, Gjykata e Apelit ka kthyer çështjen në rigjykim rastin ku pesë të akuzuarit Leonit Muhaxheri, Albin Balia, Eugen Bajralia, Rinor Jashari dhe Mërgim Atanasova ishin dënuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Më 7 korrik 2022, Gjykata Themelore në Ferizaj kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Leonit Muhaxheri, Albin Balia, Eugen Bajralia, Rinor Jashari dhe Mërgim Atanasova, duke i dënuar me 22 vite e 7 muaj burgim dhe 5 mijë e 500 euro gjobë për vrasje të rëndë në Ferizaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj të përpiluar më 19 mars 2021, Leonit Muhaxheri, më 4 shtator 2020, rreth orës 20:08, në rrugën “Wesley Clark” në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin B.Q, me ç’rast ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit Alorin Leka.

Në aktin akuzues thuhet se pas një mosmarrëveshje në mes tyre në kafenenë “Mon-Bar“, i pandehuri Leonit së bashku me të pandehurit Albin Balia dhe Eugen Bajralia kishin shkuar tek tavolina e tani të ndjerit, i cili ishte duke qëndruar me Alorin Lekën.

Aty thuhet se i pandehuri Albin i ishte drejtuar tani të ndjerit me fjalët “Çka po më kqyr, çfarë problemi ke”, e më pas me tu ngritur nga tavolina, i ndjeri së bashku me Alorin Lekën kishin dalë jashtë kafenesë dhe diku pas rreth 15 metra, përkatësisht përballë kafenesë “Escobar”, tek qoshi i banesës ndalohen nga të pandehurit.

Tutje, sipas aktakuzës, pas një fjalosje mes tyre, për një moment i pandehuri Leonit me një mjet të përshtatshëm për shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor – thikë, e kishte goditur njëherë tani të ndjerin në pjesën majtë të veshit, e më pas në përleshje e sipër, e kishte goditur edhe disa herë me thikë në pjesë vitale, përkatësisht në regjionin e shpinës, në anën e majtë.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit