Alexander Rhotert, politolog gjerman, në një artikull autorial për gazetën e përditshme gjermane “Tageszeitung” kushtuar planeve të komunitetit ndërkombëtar për mihje të litiumit në Serbi, ka konsideruar se Bashkimi Evropian (BE) është duke e injoruar agresivitetin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndaj fqinjëve rajonalë, posaçërisht ndaj Kosovës.
“BE-ja mund të importojë litium nga shtetet demokratike ‘jo problematike’ sikurse Australia. Pra, nuk ka pse të mbështesë një nga autokratët e fundit agresivë të Evropës”, ka shruar Rhotert, derisa ka përmendur sulmin e dhunshëm të protestuesve serbë ndaj Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe sulmin e paramilitarëve serbë vitin e kaluar në veriun e Kosovës.
“Huliganët e Vuçiçit sulmuan forcat e NATO-s në veriun e Kosovës në maj të vitit të kaluar, duke plagosur 90 paqeruajtës, disa prej tyre rëndë. Një polic kosovar dhe tre sulmues serbë u vranë në një sulm paramilitar në shtator”, ka shtuar mes tjerash ai, duke kujtuar se në një mënyrë të ngjashme Serbia ka nisur një luftë në Kroaci, një në Bosnje-Hercegovinë, në vitet 90-të.
“BE-ja nuk ka mësuar asgjë nga luftërat ballkanike. Me sulme të ngjashme terroriste ndaj policëve, separatistët serbë filluan luftën në Kroaci në vitin 1990 dhe në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1992… BE-ja, megjithatë, ashtu sikurse në vitet e 90-ta, përpiqet ta qetësojë Serbinë”, ka nënvizuar ai.
Ndryshe, më 19 korrik 2024, në Beograd, nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi ndërmjet BE-së dhe Serbisë për partneritet strategjik rreth lëndëve të para të qëndrueshme, zinxhirëve të prodhimit të baterive dhe makinave elektrike.