Princi Charles i Mbretërisë së Bashkuar ka rezultuar pozitiv me COVID-19 dhe është i izoluar.
Në një mesazh në faqen e tij zyrtare në Twitter thuhet se Charles doli pozitiv të enjten në mëngjes dhe ishte “thellësisht i zhgënjyer”, që nuk mund të merrte pjesë në një vizitë të planifikuar në qytetin e Winchesterit në Anglinë jugore, shkruan Aljazeera, transmeton Klankosova.tv.
Princi 73-vjeçar takoi dhjetëra njerëz gjatë një pritjeje të madhe në Muzeun Britanik të Londrës, të mërkurën në mbrëmje. Ai shoqërohej nga gruaja e tij, Camilla, dhe ishte në kontakt të ngushtë me shefin e Thesarit të Britanisë, Rishi Sunak, ndër të tjera.
Zyra e Charles, Clarence House, konfirmoi se ai është vaksinuar tri herë, teksa nuk bëhet e qartë gjendja e tij shëndetësore.
Charles më parë u infektua me koronavirus në mars të vitit 2020, gjatë valës së parë të pandemisë. Zyrtarët thanë se ai kishte simptoma të buta COVID-19 atëherë dhe Charles tha më vonë se ai dhe Camilla ishin izoluar në Skoci në atë kohë.