Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj të enjten njoftoi se nuk do të kandidojë sërish për këtë pozitë, ndërkaq më vonë ka folur edhe mbi arsyet e këtij vendimi.
Haradinaj në Rubikon ka thënë se mes tjerash, arsye për këtë është edhe rezultati jo i mirë zgjedhor.
“Sot kemi mbajtur Këshillin e Përgjithshëm, i kemi dakorduar trupat zgjedhore për me u mbajt zgjedhjet e brendshme, e kemi votuar edhe rregulloren e brendshme për kandidaturat dhe e kemi marrë vendimin për shpalljen e zgjedhjeve, prej nëndegëve e deri te kryetari i partisë”, tha ai. Kësaj here do ta shfrytëzoj të drejtën të mos kandidoj. Pra nuk do kandidoj më për kryetar të Aleancës, e kam kryer kandidaturën për kryetar. Kam pasur nderin ta udhëheq Aleancën që nga themelimi dhe të jem themelues. E kam pasur nderin të udhëheq njerëz shumë të zotë të Kosovës, të iu prij atyre. Ata i kanë shërbyer Kosovës, atdheut e demokracisë nën udhëheqjen time. Do ta kem nderin që të iu shërbej atyre”.
“Janë disa arsye pse kam vlerësuar kështu. E para është jetëgjatësia. E dyta është rezultati jo i mirë zgjedhor. Ajo që është më kryesorja është se dua t’i shërbej demokracisë, dhe për faktin se në Aleancë ka njerëz të zotë shumë, shpresa dhe besimi im është që ata do të ngrisin Aleancën në parti fituese” – u shpreh ai.






