-1.4 C
New York
Monday, January 5, 2026

Buy now

Rezultatet preliminare skicojnë Kuvendin e ri: Ja kush hyn e kush mbetet jashtë

- Advertisement -

Rezultatet preliminare nga Qendrat Komunale të Numërimit po e kristalizojnë tashmë përbërjen e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, duke sjellë një valë emrash të rinj, ndërkohë që figura të njohura nga mandati i kaluar kanë mbetur jashtë.

Sipas të dhënave preliminare, Lëvizja Vetëvendosje pritet të ketë 56 ulëse, PDK 23, LDK 15 dhe AAK 6 ulëse, ndërsa ndryshimet përfundimtare mund të varen nga procesimi i votave që nuk janë përfshirë në këtë fazë të numërimit.

Sipas përllogaritjeve aktuale, Lëvizja Vetëvendosje dominon me 56 ulëse, duke shënuar rritje krahasuar me 48 ulëset e legjislaturës së kaluar. Partia Demokratike e Kosovës zbret lehtë nga 24 në 23 mandate, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës pëson rënie drastike nga 20 në 15 ulëse. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pritet të ketë 6 deputetë, një rënie nga 8 sa kishte më parë, por këtë herë garoi e vetme. Nisma Socialdemokrate – partnere e koalicionit e AAK-së në mandatin e kaluar – mbeti jashtë pragut zgjedhor.

Ndryshimet brenda partive

Tek partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, lista preliminare sjell prurje të reja në Kuvend si Andin Hoti, Alban Bajrami, Rufki Suma, Ardian Gola, e të tjerë si Hysen Durmishi e Adnan Rrustemi. Në anën tjetër, nga legjislatura e kaluar mungojnë emra si Faton Peci (tashmë kryetar i Mitrovicës), Halil Thaçi apo Driton Hyseni.

Në radhët e PDK-së, vëmendje të veçantë ka marrë Arian Tahiri, i cili renditet i dyti më i votuari pas Bedri Hamzës (me mbi 69 mijë vota). Emra të tjerë që i bashkohen grupit janë Arben Mustafa, Eman Rrahmani, e veteranë si Xhavit Haliti e Bekim Haxhiu. Legjislatura e re do të jetë pa ish-kryetarin Memli Krasniqi (që nuk garoi), si dhe pa figura të njohura të partisë si Abelard Tahiri, Eliza Hoxha e Rashit Qalaj.

LDK-ja sjell në Kuvend emra si Ukë Rugova, Janina Ymeri dhe Ermal Sadiku. Megjithatë, tkurrja e numrit të mandateve ka lënë jashtë figura të njohura të mandatit të kaluar, përfshirë Arben Gashin, Alban Zogajn, Ekrem Hysenin dhe Krenar Xhaferin.

Në radhët e AAK-së në Kuvend rikthehet Besnik Tahiri, ndërsa një ulëse siguron edhe Albana Bytyqi. Ndërkohë, moskalimi i pragut nga Nisma i lë jashtë Kuvendit emra si Fatmir Limaj dhe Lahi Brahimaj. /Nacionale/

Të ngjashme

Të fundit