Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga KQZ-ja.

Ai ka falënderuar qytetarët për besimin, teksa ka thënë se PDK-ja me 50 mijë vota më shumë, ka arritur historinë.

“Garuam me kandidatin, vizionin dhe listën më të mirë për Kosovën. Prezantuam projektin më të duhur për zhvillimin e vendit. Dhe u rritëm – me 50 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e fundit, një rezultat historik për partinë tonë”, ka thënë Krasniqi.

“Ky është një vlerësim për punën tonë, përkushtimin tuaj dhe besimin se Kosova mundet ma mirë. Por, a është ky maksimumi ynë? Jo! A mundemi më shumë? Patjetër”, ka theksuar ia.

Sipas Krasniqit, tani nis akti tjetër – ku me të njëjtën energji dhe përkushtim, ecim përpara! Pas fitores sonë në zgjedhjet lokale, ky është një tjetër hap drejt rikthimit të madh.

“Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, falënderoj të gjithë qytetarët për një proces demokratik shembullor. Megjithatë, mbetet e domosdoshme puna e vazhdueshme për të garantuar çdo votë dhe për të eliminuar çdo dyshim që ende mund të ekzistojë”, ka thënë Krasniqi.

“Thënë këtë, sot Kosova ka shumë nevojë për qartësi, stabilitet dhe zhvillim. Ka nevojë për një qeveri të përgjegjshme sa më shpejt, sepse ka nevojë për shpresë dhe besim. Ka nevojë për miq, partnerë dhe aleatë – sepse asnjëherë, e veçanërisht sot, koha nuk pret për ata që hezitojnë. Prandaj, çdo parti që ka marrë votën e qytetarëve duhet ta përkthejë atë në veprim, duke e vënë në shërbim të interesit qytetar”, ka thënë ai.

“Kosova është Atdheu ynë që nuk falet! Dhe Atdheu ynë meriton ma mirë”.