Në mediat turke raportohet se sulmuesi i kombëtares së Shqipërisë, Rey Manaj po përgatitet për rikthimin në Turqi.
Sulmuesin shqiptar, Sivasspori e kishte dërguar gjatë afatit kalimtar të verës te skuadra e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sharjah FC për 2 milionë euro, teksa tani thuhet se 28 vjeçari është gati për t’u kthyer në Sivas.
Sipas gazetës turke “Sozcu”, Manaj ka dërguar sinjale te Sivasspori përmes menaxherit të tij.
Është bërë e ditur se sulmuesi me përvojë dëshiron të veshë sërish fanellën kuq e bardhë, që luan në Ligën e Parë të Turqisë dhe është larg promovimit në Superligë.
Manaj kishte firmosur një kontratë 2-vjeçare me Sharjah FC. Me skuadrën e Emirateve të Bashkuara Arabe, ish-lojtari i Interit dhe Barcelonës ka zhvilluar 16 ndeshje, duke dhënë kontribut me 6 gola.





