Avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts ka deklaruar se klienti i tij nuk ka pasur për qëllim marrjen e pushtetit, por çlirimin e popullit të tij.
Sipas tij, Selimi as nuk ka kërkuar të emërohet në pozita autoritare.
“Motivet e tij nuk ishin marrja e pushtetit personal, por çlirimi i popullit të tij; ai nuk ka kërkuar të emërohet në pozita autoriteti apo si inspektor i përgjithshëm. Kur qeveria e përkohshme pushoi së funksionuari, ai nuk kërkoi pushtet për vete, por u bë komandant i forcave në TMK”.
“ZPS pohon se anëtarë të udhëheqjes së UÇK-së kanë konfirmuar se Shtabi ka dhënë urdhra për ndalimin e bashkëpunëtorëve, por këto pohime nuk mbështeten nga prova të drejtpërdrejta dhe të verifikueshme”, tha avokati, njofton Klankosova.tv.
Ndër të tjera, avokati tha se nuk ka asnjë dëshmi që tregojnë se kush i ka shkruar komunikatat e UÇK-së, madje ato nuk provojnë se Selimi ka qenë i përfshirë apo i ka mbështetur ato”.
“Nuk ka asnjë dëshmi se kush i ka shkruar komunikatat në fjalë, asnjë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm nuk ka konfirmuar se përmbajtja e tyre është diskutuar apo miratuar në kuadër të Shtabit. Sa i përket takimeve të pretenduara mes Shtabit të Përgjithshëm dhe komandantëve të zonave, ekzistojnë boshllëqe të mëdha në prova, urdhrat e lëshuar për të vërtetuar qëndrimin e Shtabit ndaj bashkëpunëtorëve nuk provojnë se Selimi ka qenë i përfshirë apo se i ka mbështetur ato”.
“Për 29 takimet e pretenduara të Shtabit, ekzistenca e shumicës së tyre përmendet thjesht si referencë në deklarata, nuk ekzistojnë fare shënime zyrtare. Nuk mund të jeni të sigurt se çfarë ka bërë apo nuk ka bërë Selimi, nëse ai ka qenë mbështetës si pjesë e këtij organi, dhe as nuk mund të keni siguri se për çfarë ka pasur dijeni apo jo sa i takon raportimeve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK0-së”, theksoi mbrojtja, njofton Klankosova.tv






