Mesfushori i Kosovës, Elvis Rexhbecaj, pritet të largohet nga FC Augsburg në fund të sezonit si lojtar i lirë, pas përfundimit të kontratës së tij katërvjeçare.
28-vjeçari ka zhvilluar 115 ndeshje me klubin gjerman, ndërsa në total numëron 210 paraqitje në Bundesliga.
Sipas raportimeve nga Gjermania, interesimi për Rexhbecajn është i madh, me disa klube të elitës që po e ndjekin nga afër situatën e tij.
Ndër emrat më të përfolur janë Borussia Mönchengladbach dhe Werder Bremen, edhe pse të dy klubet ende nuk kanë siguri për statusin e tyre në sezonin e ardhshëm.
Reprezentuesi kosovar po kërkon një projekt afatgjatë për të ardhmen, ndërsa mbetet i hapur për të vazhduar karrierën në Bundesliga.
Pas eksperiencave te Wolfsburg, Köln, Bochum dhe Augsburg, një tjetër sfidë në elitën e futbollit gjerman duket opsioni më i mundshëm.






