Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka folur në Tëvë1 për situatën aktuale politike pas dështimit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ai ka theksuar se tani është me rëndësi të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Unë jam shumë kurioz se çfarë do të thotë Gjykata Kushtetuese në situatën ku Kuvendi nuk është konstituar. Ndoshta mund të na dërgojë edhe në zgjedhje të reja. Po ashtu, mund të vendosë rregulla më strikte për mënyrën e konstituimit të Kuvendit,” tha Rexhaj.
Ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka përjashtuar kurrë mundësinë e bashkëpunimit me Nismën dhe me kryetarin e saj, Fatmir Limaj.
“Ne kemi ende hapësirë për të bashkëbiseduar me Nismën dhe për të gjetur një zgjidhje, pavarësisht që Limaj kërkon të jetë kryetar i Kuvendit. Ne kërkojmë që ai të marrë përgjegjësi në qeveri dhe të ecim tutje,” deklaroi Rexhaj.
Sipas tij, çështja e bashkëpunimit mbetet e hapur, por me kushtin që kërkesat të jenë të balancuara dhe në përputhje me realitetin politik.