Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, ka kritikuar ashpër sjelljet dhe gjuhën e anëtarit të LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi.
Në Edicionin Special të Klan Kosova, ai tha se gjuha e tij ndaj gazetarëve mund të çojë në sulme fizike ndaj tyre në rrugë.
“Shumë e rëndë, e papranueshme, por aspak e befasueshme dhe e çuditshme. Nuk është hera e parë që zoti Kurteshi na quan ‘Aleancë e Grupeve Kriminale’, edhe gazetarët tjerë i ka quajtur vrasës me pagesë. Kjo tregon atë që ai në fakt është, recidivist”.
“Ne e kemi bërë një konstatim, asnjë përpjekje për t’ia kthyer me gjuhën e njëjtë. Pra, kushdo që e përsërit veprën quhet recidivist. Dhe Zoti Kurteshi, për vite të tëra ka bërë sulme brutale ndaj mediave. Përveç të papranueshme, janë edhe shumë të rrezikshme. Të quhen gazetarët vrasës me pagesë, të numërohen mediat, dhe organizata e vetme që i mbron gazetarët në Kosovës, ‘Aleancë e Grupeve Kriminale’, sipas optikës së zotit Kurteshi, jemi aleancë e grupeve kriminale”.
“Është koha e fundit që të ndalojë kjo gjuhë, të cilën zoti Kurteshi e bën me vetëdije. Një gjuhë e tillë është nxitje për mijëra komente online kundër mediave e AGK-së të cilat mund të çojnë në sulme fizike në rrugë”, deklaroi Rexha.
Ndër të tjera, kreu i AGK-së tha se do të kërkojnë nga presidentja Vjosa Osmani që të shqyrtojë mundësinë e shkarkimit të tij nga pozita e anëtarit të KQZ-së.
“Ne kemi në plan që t’i shkruajmë letër KQZ-së e Presidentes Osmani. Zoti Kurteshi nuk duhet të jetë anëtar i KQZ-së, nuk do të duhej të ridërgohej nga VV e të merrte mandatin nga presidentja Osmani, e cila e ka pasur të qartë se çfarë ka bërë zoti Kurteshi mandatin e kaluar. Ai ka gjuhë mizogjeniste, vazhdimisht ka sulmuar gratë, përveç gazetareve, edhe gratë e partive tjera politike. Prandaj, do të kërkojmë nga presidentja Osmani që të kërkojë shkarkimin e tij”, u shpreh.
Ai kërkoi që akuzat e Kurteshit nuk duhet të demotivojnë gazetarët e as AGK-në.






