Portierët e Juventusit janë në qendër të vëmendjes këtë verë, me disa lëvizje të mundshme që po marrin formë. Manchester City është i interesuar për Michele Di Gregorion, ndërsa Milani lidhet me një rikthim të mundshëm të Mattia Perin.
Nga ana tjetër, Gianluigi Donnarumma mbetet një objektiv serioz për bardhezinjtë, të cilët gjithmonë kanë pasur në portë portierët më të mirë italianë.
Pas rinovimit të kontratës së trajnerit Igor Tudor, i cili ka marrë më shumë pushtet në strategjinë e blerejve dhe shitjeve, Juventusi është futur në një fazë transformimi.
Perin pritet gjerësisht të largohet gjatë verës, në kërkim të më shumë hapësireve në fushë. Një rikthim te Milani, ku mund të bashkohet sërish me Massimiliano Allegrin, është një skenar i mundshëm.
Përveç kuqezinjve, interes për të kanë shfaqur edhe Como dhe Monza – kjo e fundit ndonëse ka rënë nga elita, sipas raportimeve nga Matteo Moretto dhe Calciomercato.com.
Ndërkohë, as e ardhmja e Di Gregorios nuk është e sigurt, veçanërisht nëse Manchester City shton përpjekjet për ta afruar atë në “Etihad”.
Lëvizjet e mundshme në portë nxisin spekulimet për Gianluigi Donnarummën. Portieri i PSG-së, aktualisht në vitin e fundit të kontratës, vazhdon të shprehet se prioriteti i tij është rinovimi me klubin francez.
Megjithatë, kjo nuk është ende e garantuar dhe PSG nuk pritet ta lejojë të largohet si lojtar i lirë verën e ardhshme – ndaj një shitje që këtë verë mbetet e mundshme.
Nëse Perin dhe Di Gregorio largohen, Juventusi do të detyrohet të afrojë dy portierë të rinj. Përveç Donnarummës, një tjetër emër që po përmendet është Elia Caprile.
Sipas të përditshmes L’Unione Sarda, Cagliari është gati ta blejë portierin nga Napoli për 8.5 milionë euro pas huazimit, por Juventusi mund të ndërhyjë për të ndryshuar rrjedhën e kësaj marrëveshjeje.
Afati kalimtar është i hapur dhe gjithçka pritet të qartësohet në javët e ardhshme, me Juventusin që duket i vendosur për të riformatuar portën e tij.