Administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe Ukraina pritet ta nënshkruajnë sonte marrëveshjen e shumë debatuar për mineralet, raporton Reuters.
Reuters raporton duke iu referuar tri burimeve se Trump u ka thënë këshilltarëve të tij se dëshiron ta shpallë marrëveshjen në fjalimin e tij të sotëm në Kongres, duke paralajmëruar se marrëveshja nuk është nënshkruar ende dhe situata mund të ndryshojë.
Marrëveshja u pezullua të premten pas një takimi në Zyrën Ovale midis Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy që rezultoi në largimin e shpejtë të liderit ukrainas nga Shtëpia e Bardhë. Zelenskiy kishte udhëtuar në Washington për të nënshkruar marrëveshjen.
Në atë takim, Trump dhe Zëvendës Presidenti JD Vance e qortuan Zelenskiy, duke i thënë atij se duhet të falënderojë SHBA-në për mbështetjen e saj në vend që të kërkojë ndihmë shtesë.
Ndryshe, Zelenskyi ka thënë se vendi është gati të nënshkruajë një marrëveshje mbi mineralet “në çdo kohë dhe në çdo format”. Deklarata e tij vjen një ditë pasi Trump urdhëroi pezullimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën.
“Lidhur me marrëveshjen për mineralet dhe sigurinë, Ukraina është e gatshme ta nënshkruajë atë në çdo kohë dhe në çdo format të përshtatshëm. Ne e shohim këtë marrëveshje si një hap drejt një sigurie më të madhe dhe garancive solide të sigurisë, dhe shpresoj vërtet se do të funksionojë në mënyrë efektive”, është shprehur ai.