Ai është akuzuar dy herë, është përpjekur që ta zhbëjë ndërrimin paqësor të pushtetit pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale më 2020, ballafaqohet me shumë akuza në disa raste kriminale dhe kritikët e tij paralajmërojnë se ai është duke bërë komplot për të qeverisur si autokrat. Prapëseprapë, Donald Trumpi mund të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
James Oliphant, Reuters
Trumpi është në epërsi ndaj rivalëve të tij për nominimin e Partisë Republikane për gati 50 për qind në sondazhe, kthim i jashtëzakonshëm për një president që ka shërbyer vetëm gjatë një mandati e që para tre vjetëve dukej i mposhtur e i poshtëruar.
Më poshtë janë katër arsye pse Trumpi do të mund t’i fitonte zgjedhjet e nëntorit të vitit të ardhshëm kundër presidentit të tanishëm demokrat, Joe Biden:
Votuesit e pakënaqur
Shtëpia e Bardhë argumenton se ekonomia është në gjendje të mirë, kur papunësia është afër nivelit më të ulët historik, 3,9 për qind, nga 6,3 për qind, sa ishte në kohën e largimit të Trumpit nga pushteti, ndërsa inflacioni është zvogëluar nga kulmi prej më shumë se 9 për qind, në qershor të vitit 2022, në 3,2 për qind në tetor.
Një pjesë e madhe e publikut, përfshirë shumë votues me ngjyrë e votues të rinj, besojnë ndryshe. Ata i përmendim pagat që nuk e ndjekin ritmin me koston e produkteve e shërbimeve themelore, si ushqimi, veturat, shtëpitë, kujdesi për fëmijë e për të moshuar.
Kur Bideni flet për ekonominë, amerikanët mendojnë për përballueshmërinë, jo për treguesit ekonomikë. Anketat tregojnë se votuesit për një dallim të madh i shohin republikanët si kujdestarë më të mirë të ekonomisë, edhe pse Trumpi ka ofruar vetëm propozime të paqarta.
Të folurit për frikën
Votuesit janë të brengosur për arsye që shtrihen shumë përtej ekonomisë. Trumpi u flet shqetësimeve – të vërteta ose jo – që shumë amerikanë i kanë në një shtet që po bëhet gjithnjë më i shumëllojshëm e kulturalisht më progresiv.
Ekziston një ndjenjë e përhapur për humbjen e terrenit, që shtyllat e jetës amerikane – pronësia e shtëpive, një pagë e denjë që e ndjek ritmin e inflacionit, shkollimi në universitet – po bëhen gjithnjë më të paarritshme për shumë qytetarë. Anketat tregojnë se votuesit janë të brengosur për krimin dhe të nevrikosur për hyrjen e emigrantëve ilegalisht në kufirin me Meksikën.
Trumpi është i aftë për kanalizimin dhe paketimin e këtyre frikave, ndërsa ende e paraqet veten si person që vjen nga një fushë jashtë sistemit politik të ShBA-së. Ai është edhe zjarrvënës, edhe zjarrfikës, që deklaron se vendi është në kaos e pastaj e ofron veten si shpëtimtar, raporton Nacionale.
Për shumë votues, veprimet e Trumpit s’janë diskualifikuese
Përderisa kritikuesit brenda partisë së tij, Partisë Demokratike e mediave e shohin atë si të papërshtatshëm për pushtet, miliona votues nuk pajtohen me këtë vlerësim.
Në vend të kësaj, shumë nga përkrahësit e tij janë bindur se Trumpi është viktimë e një “gjuetie shtrigash” në politikë. Të paktën gjysma e republikanëve që morën pjesë në një anketë të agjencisë “Reuters” e organizatës “Ipsos” më herët këtë vit thanë se nuk do të kishin problem që ta votonin Trumpin, edhe nëse ai do të dënohej për një krim.
Trumpi mund të bëjë me gisht edhe nga katër vitet e tij në pushtet dhe të argumentojë se makineria e qeverisë kryesisht funksionoi, edhe nëse kjo u bë kohë pas kohe në mënyrë kaotike, pavarësisht nga frika se ai nuk do të mund të qeveriste dhe nga pretendimet më të këqija kundër tij – si bashkëpunimi me Rusinë – që nuk u dëshmuan kurrë.
Bidenit i hidhet tërë faji, s’i jepen meritat
Trumpi mund të shfrytëzojë edhe një Shtëpi të Bardhë që, deri më tani, nuk ka qenë në gjendje që të bindë një pjesë të madhe të publikut se politikat e Bidenit për hapjen e vendeve të punës – përmes investimeve të mëdha qeveritare në infrastrukturë, energji të gjelbër e prodhim të çipave – kanë bërë një dallim në jetën e tyre.
Bideni është ngarkuar edhe me një palë luftëra të huaja që i kanë përçarë amerikanët. Porosia jo-ndërhyrëse e Trumpit, “Amerika së pari”, mund të përputhet me votues që kanë frikë nga përfshirja e mëtejme e ShBA-së në Ukrainë ose Izrael, përderisa Bideni mban politikë të jashtme amerikane më tradicionale e ndërhyrëse.
Asnjëra nga këto, natyrisht, nuk nënkupton që Trumpi e ka të sigurt fitoren në zgjedhje.
Ai mbetet thellësisht i papopullarizuar në shumë pjesë të vendit dhe në mesin e shumë llojeve të popullsisë dhe, nëse zgjidhet si i nominuar i partisë së tij, kjo do të nxiste pjesëmarrje të lartë në zgjedhje në favor të demokratëve për t’iu kundërvënë atij.
Retorika e tij nxitëse, përfshirë kërcënimet për të marrë hak ndaj armiqve politikë që ai i quan “parazitë”, mund të jetë edhe një “ftohje” për republikanët e moderuar dhe votuesit e pavarur, për të cilët ai do të ketë nevojë për ta mposhtur Bidenin.
Demokratët gjithashtu kanë bërë fushatë me sukses si mbrojtës të të drejtave për abort për t’i mposhtur republikanët në mbarë vendin në një varg zgjedhjesh dhe përsëri do ta bëjnë qendrore këtë çështje gjatë fushatës më 2024.
Megjithatë, në këtë moment, 11 muaj larg Ditës së Zgjedhjeve, Trumpi ka gjasa më të mira për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë se në çfarëdo momenti tjetër që nga largimi i tij nga pushteti.