Zyrtarët izraelitë i kanë komunikuar administratës Trump se nuk janë të gatshëm të presin afatin dyjavor që SHBA i ka dhënë Iranit për të arritur një marrëveshje mbi çmontimin e pjesëve kyçe të programit të tij bërthamor.
Sipas një raportimi të agjencisë Reuters, Izraeli ka sinjalizuar gatishmërinë për të ndërmarrë veprime ushtarake të njëanshme kundër objektivave iraniane.
Në një telefonatë të tensionuar të enjten, në të cilën morën pjesë kryeministri Benjamin Netanyahu, ministri i Mbrojtjes Israel Katz dhe shefi i shtabit Eyal Zamir, izraelitët kanë bërë të ditur se po shqyrtojnë goditjen e kompleksit bërthamor iranian në Fordow, që konsiderohet një nga pikat më të mbrojtura të programit atomik të Iranit.
Fordow ndodhet nën një mal dhe është një objektiv që aktualisht mund të goditet vetëm nga SHBA, që posedon bomba të afta për depërtim në objektiva nëntokësorë.
Sipas Reuters, në kampin e Donald Trump ka ende debat nëse SHBA duhet të përfshihet në një ndërhyrje ushtarake.