Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar për pasojat e reshjeve të fundit të shiut.
Përmes një njoftimi për media IHK ka bërë me dije se për shkak të këtyre reshjeve disa pjesë të vendit janë prekur nga vërshimet.
Sipas njoftimit, nga vërshimet është prekur pjesa perëndimore e Kosovës, përfshirë Gjakovën, Junikun, Deçanin, Malishevën dhe Klinën, si dhe në disa zona të pjesës qendrore të vendit.
“Si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut gjatë ditëve të fundit, në disa zona të vendit, konkretisht në pjesën perëndimore (Gjakovë, Junik, Deçan, Malishevë, Rahovec, Klinë, etj.), si dhe në pjesën qendrore, janë shkaktuar vërshime lokale. Si rezultat, disa lumenj dhe përrenj kanë dalë nga shtretërit e tyre. Këto reshje, me intervale dhe intensitet të ndryshëm, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, duke mundësuar paraqitjen e vërshimeve lokale, probleme në komunikacion, në sistemet e kanalizimit, si dhe vështirësi në trafik. Aktualisht, lumenjtë kryesorë të vendit, veçanërisht ata në pjesën qendrore, lindore dhe jugore (Ibri, Sitnica, Lepenci, Morava e Binçës, etj.), paraqesin ngritje të lehta të nivelit të ujit”, është thënë në njoftim






