Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga rradhët e Listës Guxo, Alblena Reshitaj, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë e hapur për bashkëpunim qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Reshitaj në emisionin “Ditari” në Tëvë1 ka bërë të ditur se aktualisht nga ana e LVV-së ka vetëm ftesa individuale për deputetë të caktuar, e jo ndonjë ftesë zyrtare apo të përgjithshme nga Grupi Parlamentar.
“Ka ftesa tani të deputetëve, jo diçka një ftesë të përgjithshme ose një ftesë zyrtare që ka dalë nga Grupi Parlamentar, mirëpo Lëvizja Vetëvendosje ka qenë dhe vazhdon të jetë e hapur për bashkëpunim qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ka të njëjtin qëndrim ende, nuk e besoj se ka ndryshuar dicka sepse është interesi I përgjithshëm më I rëndësishëm sesa interesi I partisë ndonëse është partia fituese”, ka thënë ajo.
E pyetur nëse beson se LDK-ja do të ndryshojë qëndrim ditëve në vijim, Reshitaj është shprehur se vetëm në këtë rast nuk është duke parë institucionalizëm nga ky subjekt politik.
“Meqë, LDK-ja shpesh ka devijuar nga ajo çfarë ka thënë në vendime e veprime qoftë ndonjëherë për mirë, qoftë edhe jo për mirë, por shpesh është thirrur dhe thirret në institucionalizëm, unë vetëm në këtë rast nuk po shoh institucionalizëm të tyre, vetëm në këtë rast nuk po shoh mundësi ose hapësirë për bashkëpunim. Nëse një parti politike ka krijuar kauza anti PDK dhe ka marrë vota anti PDK dhe pastaj ka shku ka bërë koalicion pikërisht me ata, unë kam bindjen e plotë se në bashkëpunim dhe në koalicion me LVV-në do të kishte me qenë një sukses shumë i madh”, ka deklaruar Reshitaj.