16.5 C
New York
Wednesday, August 27, 2025

Buy now

Republikania nga Teksasi djeg Kuranin, ndez polemika

- Advertisement -

Një kandidate republikane për Kongres në Teksas ka shkaktuar reagime të ashpra pas publikimit të një videoje fushate, ku shihet duke i vënë flakën Kuranit me një flakëhedhës.

Valentina Gomez, e cila kandidon për distriktin e 31-të në Teksas për zgjedhjet e vitit 2026, e shpërndau videon ekstreme në rrjetin X si pjesë e zotimit të saj për “t’i dhënë fund Islamit” në këtë shtet, raporton “Independent”.

Popullsia myslimane në Teksas përbën rreth një për qind të banorëve.

Në video, Gomez shfaqet duke përdorur gjuhë të urrejtjes: “Vajzat tuaja do të përdhunohen dhe djemve do t’u priten kokat, nëse nuk e ndalim Islamin një herë e përgjithmonë. Amerika është një komb i krishterë, ndaj myslimanët terroristë mund të p******* në cilindo nga 57 vendet myslimane. Ka vetëm një Zot të vërtetë, dhe ai është Zoti i Izraelit”.

Ajo e përfundon mesazhin duke thënë se është “e fuqizuar nga Jezu Krishti”.

X/@ValentinaForUSA

Reagimet nuk vonuan. “Kjo nuk është politikë. Kjo është nxitje urrejtjeje”, shkroi podkasteri Brian Allen në X. “Kur të fillojnë të digjen xhamitë, mbani mend: kjo ishte shkëndija, dhe Partia Republikane e Teksasit i dha çakmakun”.

Një tjetër përdorues komentoi: “Ajo do të bëjë gjithçka vetëm për famë. Çdo gjë. Si është e mundur që i lejohet të nxisë urrejtje dhe vrasje?”

Kjo nuk është hera e parë që Gomez përdor veprime provokuese për të tërhequr vëmendje. Në dhjetor 2024, ajo publikoi një video ku simulonte ekzekutimin e një emigranti, ndërsa thoshte: “Ekzekutime publike për çdo të paligjshëm që përdhunon ose vret një amerikan. Ata nuk meritojnë deportim, por fundin”.

Vetë Gomez është emigrante, e lindur në Kolumbi. Presidenti kolumbian Gustavo Petro e dënoi ashpër atë video, duke reaguar: “Ajo nuk është thjesht një fashiste amerikane. Ajo është kolumbiane. Dhe si migrante, ajo kërkon të nxisë urrejtje kundër migrantëve. Shumica e amerikanëve vriten nga amerikanët”.

Ajo është kritikuar edhe për deklarata raciste ndaj afro-amerikanëve, duke u thënë që të largohen nga ShBA nëse nuk e pëlqejnë vendin, ndërkohë që festën kombëtare të “Juneteenth” e quajti “më të turpshmen” nga të gjitha festat.

Homofobia ka qenë gjithashtu pjesë e mesazheve të saj. Në shkurt 2024, gjatë një fushate në Misuri, ajo dogji me flakëhedhës një grumbull librash LGBTQ+, mes tyre edhe tituj për adoleshentë. Po atë vit publikoi një tjetër video ku shfaqej me jelek antiplumb duke vrapuar në një lagje pro-LGBT+, teksa deklaronte: “Në Amerikë mund të jesh çfarë të duash. Veç mos u bëj i dobët dhe gay”.

Në atë garë, Gomez përfundoi e gjashta në zgjedhjet paraprake republikane.

Të ngjashme

Të fundit