Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për ndarjen e 520 mijë eurove për financimin shtesë të projektit “Renovimi i kulmit dhe rikonstruktimi i hapësirave të brendshme në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore”.
Ministria e Drejtësisë ka bër të ditur se ky buxhet do të shfrytëzohet për renovimin e hapësirave të IML-së që ishin dëmtuar si pasojë e incidentit me zjarrin në nëntor të vitit të kaluar, mirëpo në të njëjtën kohë do të intervenohet në tërë objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, duke rritur sigurinë e përgjithshme me qëllim të parandalimit të ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
“Ky renovim do të realizohet në bazë të projektit të përgatitur nga departamenti i inxhinieringut në MD, i cili përfshin rekomandimet e dhëna nga Komisioni i Universitetit të Prishtinës për vleresimin e dëmeve dhe rritjen e sigurisë së objektit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Në njoftim Ministria e Drejtësisë ka dhënë detaje se cilat do të jenë pikat kryesore që do të investohen.
“Pikat kryesore në të cilat do te investohet do të jenë instalimi i sistemit kundër zjarrit, instalimi i sistemit të ri elektrik, vendosja e ventilimit qendror, përmirësimi i kushteve dhe funksionalizimi i sallave të autopsisë, si dhe ridizajnimi i hapësirave të brendshme të punës në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”, vijon njoftimi.
Me këtë investim, IML shpreson të krijojë një mjedis të sigurt për punë dhe ruajtjen e provave të rëndësishme mjeko-ligjore që do të mundësojnë rifillimin sa më shpejt të procesit të akreditimit të shërbimeve mjeko- ligjore.
Ndryshe, për zjarrin që kishte shpërthyer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Prokuroria në Prishtinë ka nisur hetimet.
.