Vetëm 18 për qind e qytetarëve të Kosovës janë të kënaqur me situatën ekonomike, ndërsa 82 për qind shprehin pakënaqësi, tregoi Barometri i BE-së në hulumtimin më të ri.
Kjo pasqyron nivelin e lartë të shqetësimit për papunësinë, inflacionin dhe rritjen e kostos së jetesës në vend.
Profesori universitar i ekonomisë, Medain Hashani, në intervistë për Ekonomia Online, vlerësoi se pakënaqësia e qytetarëve është pasojë direkte e neglizhencës institucionale për të ndërhyrë me politika të qëndrueshme ekonomike si dhe e mungesës së mbështetjes për sektorin privat.
“Në momentin që vetëm 18 për qind e qytetarëve janë të kënaqshëm me ekonominë e Kosovës, i bie që 82 për qind nuk janë të kënaqshëm me ekonominë e Kosovës. Ekonomia e Kosovës në nivel të përgjithshëm është mjaft shqetësuese, duke pasur për bazë inflacionin që ka kapluar vendin dhe mosndërhyrjen e qeverisë në rritjen e pagave si në sektorin publik. Tani për herë të parë ndodh që një qeveri mburret për rritjen e pagave në sektorin privat. Prandaj, ndikimi i qeverisë në sektorin privat vetëm se e ka penguar sektorin privat, nuk ka bërë asnjë subvencionim për bizneset dhe tani me situatën e re ekonomike që është krijuar momentalisht ne do të kemi ende pakënaqësi edhe më të lartë sesa 82 për qind për shkak të inflacionit dhe rritjes së çmimeve”, tha ai.
Sipas Hashanit, krahasuar me vitin 2020, rritja e pagës mesatare me vetëm 89 euro në vitin 2025 është e pamjaftueshme dhe në asnjë mënyrë nuk e përballon humbjen e fuqisë blerëse.
“Nuk është rritje page nëse merret për bazë nga viti 2020 në vitin 2025, që është rritur 89 euro. Kjo është një përqindje mjaft e vogël në raport me inflacionin që është akumuluar nga viti 2020, nga lufta në Ukrainë dhe mosndërhyrja e qeverisë në subvencionimin e qytetarëve në ndryshimin e politikave fiskale, të cilat do të mbanin stabilitetin fiskal në vend dhe gjithashtu do të mbanin stabilitetin financiar të ekonomive familjare në raport me inflacionin. Sepse, 100 euro sot, në krahasim me vitin 2020, aftësia blerëse e 100 eurove sot është sa 35 euro që kanë qenë në vitin 2020. Kjo tregon se çfarë hendeku i lartë është krijuar në mes të aftësisë blerëse të tanishme në raport me paranë”, tha ai.
Hashani tha se edhe kur ka përmirësime në sektorin privat, përfitimi nuk reflektohet realisht te qytetari, për shkak të rritjes së vazhdueshme të kostove.
“Pagat kanë mbetur njëjtë në sektorin publik. Bizneset private kanë filluar të lëvizin me rritjen e pagave, për shkak të krijimit të një situate të re nga rezultati i liberalizimit të vizave që ka ndodhur dhe kanë filluar të ndërhyjnë në ndryshimin e pagave për të gjithë punonjësit e tyre. Kanë filluar që të krijojnë kushte më të mira të punës dhe kjo është si rezultat i kostos së bizneseve. Mirëpo prapë, çdo rritje e kostos së bizneseve në fund i faturohet qytetarit të Kosovës, sepse qytetari i Kosovës prapë do ta paguajë atë rritje të kostove, të cilat janë kosto zinxhirore që ndodhin nga nisja e fillimit të prodhimit të një produkti dhe deri në finalizimin e tij. Prandaj, të gjitha rritjet e kostove, të cilat ndikojnë te një produkt, automatikisht shfaqen te xhepi i qytetarit. Nëse ne nuk kemi lëvizje të pagave dhe jemi në një situatë mjaft të pafavorshme ekonomike, kjo tregon që kemi rezultate të pakënaqshme në nivel të qytetarëve dhe kjo pakënaqësi do të rritet edhe në këtë vit”, tha për EO, Hashani.