Njëri prej sulmuesve, u dënua para pak ditësh.
Pas pranimit të fajësisë, Millosh Antoviq për sulmin e kryer ndaj ushtarëve të KFOR-it, u dënua me 4 vite e 11 muaj burgim.
Por, ky nuk është epilogu i vetëm për sulmin e 29 majit të vitit 2023.
“Janë të dënuar me marrëveshje për pranim fajësie këta persona; Milosh Antoviq, Marko Danic, Lazar Dejanovic, Dusan Drobac, Sllobodan Miletic, Nenad Orlovic, Radosh Petrovic dhe Dushan Obrenovic. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke zhvilluar procedura hetimore edhe ndaj personave të tjerë. Megjithatë, për të mbrojtur integritetin e procesit hetimor, në këtë fazë nuk mund të japim më shumë informacione”, tha zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.
Përfundimi i këtyre rasteve, konsiderohet se tregon përkushtimin e organeve të rendit, për vënien e drejtësisë.
“Përbrenda dy viteve kemi epilog në gjyqësor, nënkupton që organet e zbatimit të ligjit filluar nga Policia, së bashku me Prokurorinë e Gjykatat, kanë arritë me trajtu brenda afateve optimale. Shto faktin këtu që kemi pasur rast të pranimit të fajësisë, e natyrisht se edhe shkalla e ndëshkueshmërisë për personin në fjalë është brenda parametrave që përcakton dispozitat respektive të Kodit Penal”, tha avokati Ardian Bajraktari.
Rëndësia e vënies së drejtësisë në rastet e sulmeve në komunat veriore, vlerësohen si të rëndësishme për të treguar ndëshkueshmërinë ndaj kujtdo që kryen krime.
“Kjo është një mesazh, një porosi për të gjitha grupet kriminale të cilat marrin guxim që të kryejnë veprime të tilla, t’iu ipet ky mesazh dhe t’u thuhet se ato do të jenë të ndjekura dhe të ndëshkuara, dhe që nuk do të kenë mundësi që t’i shmangen drejtësisë. Sigurisht, ata mund për një kohë të caktuar të gjejnë strehim edhe në Serbi edhe kudo qoftë tjetër në situata të caktuara, siç po ndodhë edhe tani në këto momente, por gjithsesi do të vijë një moment kur do të përgjigjen para drejtësisë”, tha njohësi i sigurisë, Hysen Gecaj.
Si pasojë e sulmit, të lënduar kishin mbetur rreth 30 ushtarë të KFOR-it dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës.