3.2 C
New York
Sunday, December 14, 2025

Buy now

Remi kritikon Kurtin: Si është e mundur që kryeministri nuk i vlerëson udhëheqësit e luftës?

- Advertisement -

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi, në një intervistë në Debat Plus në RTV Dukagjini ka shprehur zhgënjimin e tij me mënyrën se si, sipas tij, po udhëhiqet Kosova nën qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti.

Ai tha se fillimisht e kishte pritur me optimizëm ardhjen në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje, duke besuar se vendi do të drejtohej mirë dhe se do të vazhdohej aty ku ishte ndalur procesi i shtetndërtimit.

“Unë kam pas menduar që do të drejtohet mirë vendi. Do të fillojmë nga aty ku kem mbet për të vazhduar tutje. Por sot e di, në këtë vit, pa kontroll as financiar, as të komisioneve… nuk po kuptohet çfarë po ndodh,” u shpreh Remi, duke kritikuar mungesën e mekanizmave të mbikëqyrjes.

Ai tha se qeveria po funksionon jashtë çdo kontrolli institucional, përfshirë Kuvendin dhe bordet mbikëqyrëse të ndërmarrjeve publike.

Sipas tij, askush nuk ka informacion se si po shpenzohet buxheti i Kosovës.

“Janë shpenzuar tre miliardë e gjysmë dhe sot nuk din askush se ku kanë shkuar ato mjete”, tha ai.

Remi kritikoi kryeministrin Kurti edhe për qasjen ndaj ish-udhëheqësve të luftës dhe shtetit, të cilët aktualisht përballen me procese gjyqësore në Hagë.

“Nuk e kuptoj pse kryeministri im nuk i vlerëson udhëheqësit e shtetit që ishin të paqes ose të luftës”, deklaroi ai, duke shtuar se qasja aktuale e qeverisë e ka dëmtuar imazhin dhe pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ai theksoi gjithashtu se Qeveria Kurti nuk ka investuar në lobim ndërkombëtar, duke mos paguar ekspertë dhe profesionistë që do të mund ta mbronin dhe promovonin interesin e Kosovës jashtë vendit.

“Kryeministri im flet për pesë vite se është shpenzuar një numër i vogël i mjeteve që është dashtë t’u paguhen njerëz që dinë dhe mundin me lobu jashtë Kosovës”, tha Remi duke e konsideruar këtë si një gabim të rëndë strategjik.

Në fund, ai vlerësoi se mungesa e transparencës, mosfunksionimi i mbikëqyrjes institucionale dhe qasja e dobët e qeverisë në mbrojtjen e interesave të vendit përbëjnë një dëm serioz për Kosovën.

Të ngjashme

Të fundit