Rektori Hajrullahu figuron si kryetar i OJQ-së prapa ekspozitës që pasqyroi pasaktësisht Masakrat në Kosovë

- Advertisement -

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, vazhdon të figurojë si Kryetar i Bordit në faqen zyrtare të “Admovere” – një prej organizatave përgjegjëse për ekspozitën skandaloze që shkaktoi indinjatë të thellë publike me pasaktësitë rreth masakrave në Kosovë – pavarësisht se ai pretenduar se është larguar nga kjo organizatë.

Një kërkim i thjeshtë në uebsajtin admovere.org, nxjerr përfshirjen e kreut të institucionit më të madh të arsimit të lartë në vend në majën e kësaj organizate. Në rubrikën “Bordi”, Hajrullahu shfaqet me emër, fotografi dhe me titullin e qartë: Kryetar i Bordit.

Rektori Hajrullahu reagoi dje përmes një komunikate publike, duke mohuar kategorikisht të jetë pjesë e ndonjë organizate. Megjithatë, në faqen zyrtare të kësaj OJQ-je, emri i tij vazhdon ende të figurojë si Kryetar i Bordit.

“Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, sqaron opinionin publik se, që nga dita e zgjedhjes në funksionin e rektorit të UP-së më 7 gusht 2024, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në çdo organizatë ose institucion tjetër, përveç Universitetit të Prishtinës.

Në mbrojtje të integritetit të tij akademik dhe njerëzor, si dhe të institucionit që drejton, rektori Hajrullahu do të fillojë të ndjekë rrugët ligjore kundër të gjitha rasteve të lajmeve të pavërteta që po shfaqen në vazhdimësi, në kuadër të fushatave të qëllimshme dezinformuese”, thuhet ndër tjera në reagim.

Kjo organizatë dhe organizata “Integra” ishin prapa ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, ekspozitë që shkaktoi valë reagimesh si pasojë e pasaktësive në pasqyrimin e Masakrave në Kosovë, duke u akuzuar për përhapje të propagandës serbe në sheshin e Prishtinës.

Materialet e kësaj ngjarjeje, që gëzonte mbështetje financiare edhe nga Kuvendi i Kosovës, u hoqën nga sheshi qendror i kryeqytetit të shtunën në mëngjes, vetëm pesë ditë nga dita kur u shpalosën. Ky largim i paneleve me të dhëna të gabuara erdhi direkt pasi Komuna e Prishtinës mori vendim për ta anuluar lejen e këtij instalacioni, si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj indinjatës së gjerë qytetare mbi shtrembërimet e hasura në tekstet e ekspozitës.

Pretendimet e Gashit, i cili deklaroi se ishte bazuar në burimet e Fondit për të Drejtën Humanitare, janë hedhur poshtë haptazi nga vetë kjo organizatë, duke i kualifikuar ato si devijime tërësisht joprofesionale.

Përmes një qëndrimi zyrtar, ata theksuan se “kjo nuk është çështje interpretimi, por mungesë elementare e njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare”.

Ky institucion sqaroi po ashtu se personat e vrarë në burgun e Dubravës ndodheshin nën mbikëqyrjen absolute të shtetit serb si të burgosur, e në asnjë mënyrë nuk ishin pjesëmarrës aktivë në fronte lufte.

Këtë qasje e ka kritikuar edhe më ashpër aktivistja serbe Natasha Kandiq. Në një prononcim për gazetarin e Nacionales, Xhezair Dashir, ajo tha ndër tjera: “Shkëlzen Gashi nuk kupton. Ai nuk e kupton dhe as nuk e ka dijen për të kuptuar atë çka ne kemi shënuar”.

Sipas aktivistes, nga çasti i ndalimit, këtyre personave u ndryshon statusi dhe gëzojnë mbrojtje të plotë juridike të garantuar nga Konventat e Gjenevës. /Nacionale/

Të ngjashme

Të fundit