Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në samitin e tretë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian në Granada të Spanjës.
Në një konferencë për media, e pyetur nëse ka pasur rast të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, Osmani është përgjigjur me JO.
Këtë refuzim të Osmanit për t’u takuar me Vuçiqin, ish-ambasadori i Kosovës në Itali, Albert Prenkaj e ka cilësuar si qasje jodiplomatike.
Në një lidhje direkte në Edicionin Special në Klan Kosova, ai ka thënë se edhe në kohë lufte, përfaqësuesit shtetërorë takohen dhe bisedojnë.
“Është legjitime nga përfaqësuesja më e lartë e shtetit që të kërkohet sanksionimi ndaj një shteti i cili ka pretendime ndaj Kosovës dhe këto pretendime së fundmi u shfaqën në mënyrë të drejtpërdrejtë me tentime të dhunshme”, ka thënë Prenkaj.
“Por, në margjinat e forumeve të ndryshme qofshin takime edhe jopublike, unë mendoj se është qasje jo diplomatike që në mënyrë publike të shfaqet një refuzim i tillë. Pra nuk është sjellje diplomatike. Mendoj që në këto margjina, sido që të jetë situata – edhe në kohë lufte, komunikohet në mënyrë diplomatike, mund të takohen edhe përfaqësuesit më të lartë shteteve në mënyrë që të tregojnë qëndrimet shtetërore në mënyrë të drejtpërdrejtë në tavolinë në praninë të ndërmjetësuesve”, ka shtuar ai.
Sipas tij, është dashur që të takohen ballë për ballë dhe të thuhet qëndrimi shtetëror dhe të kërkohet që situata të qetësohet.
“Situata nuk mund të qetësohet duke e pasur një diskurs irritues i cili mund të irritojë edhe palën kundërshtare edhe miqtë tanë, ndërmjetësuesit, prandaj mendoj që edhe diskursi duhet të jetë me tension më të ulët, me fjalë të përzgjedhura dhe takimet në margjina të forumeve të këtilla të cilat ofrojnë mundësi, duhet të ndodhin. Kështu fillon momenti i parë i de-përshkallëzimit”, ka potencuar ai.