Të gjallët i presin nga 15 shtatori në gjykatore, të vdekurve ua shfrytëzojnë deklaratat e dhëna ndër vite.
Një e tillë i është dorëzuar Gjykatës Speciale në Hagë nga mbrojtja e Hashim Thaçit. Ajo u pranua të mërkurën, 5 ditë para se të fillojnë rrëfimet e funksionarëve ndërkombëtarë pro UÇK-së, raporton Klan Kosova.
Këta nuk do të rezervohen vetëm te i akuzuari që i ka ftuar. Përveç Thaçit, dëshmitarët e tij do të mund të flasin edhe për Rexhep Selimin, apo Kadri Veselin, e Jakup Krasniqin, ndryshe nga çfarë ka kërkuar 10-shi i luftës, që të mos përmendet nga ndonjë dëshmitar që s’e ka thirrur vetë.
Ndonëse edhe mbrojtja edhe Prokuroria do të jenë të kufizuara nga vetë organizatat ndërkombëtare, përfshirë Departamentin Amerikan të Shtetit në çështjet që kanë të drejtë t’i flasin, Charles Smith ka vlerësuar se nuk e paragjykon dot natyrën e pyetjeve.
Në rastin e fundit, Qeveria e Shteteve të Bashkuara e kishte kufizuar ish-funksionarin e saj që të fliste vetëm për zinxhirin komandues brenda UÇK-së, përgjegjësitë që kishin anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm veç e veç si dhe për informacionet që kishte pasur gjatë kohës së luftës për të ndaluarit dhe keqtrajtuarit e lidhur me Ushtrinë Çlirimtare. /Klankosova.tv