Gjyqtarët në ligën më të madhe të futbollit të Italisë u japin më shumë kartonë të verdhë dhe të kuq lojtarëve zezakë dhe me lëkurë të errët, sesa shokëve të tyre të skuadrës me lëkurë të bardhë apo të çelur, ka treguar një hulumtim.
Arbitërat në Serie A dhanë mesatarisht 20 përqind më shumë faulle në sezon kundër lojtarëve me lëkurë të errët nga viti 2009 deri më 2019, me 11 përqind më shumë kartonë të verdhë dhe 16 përind më shumë kartonë të kuq.
Por gjatë pandemisë COVID-19, kur ndeshjet luheshin në stadiume bosh, nuk kishte asnjë paragjykim në mënyrën se si gjyqtarët i trajtonin lojtarët. Kjo tregon se autoritetet duhet t’i japin përparësi ndalimit të tifozëve përgjegjës për incidente raciste, thanë studiuesit, Beatrice Magistro dhe Morgan Wack.
Shumë klube italiane kanë një numër të madh mbështetësish të ekstremit të djathtë; lojtarët, duke përfshirë Romelu Lukaku, Kalidou Koulibaly dhe Mario Balotelli, janë abuzuar rregullisht në mënyrë racore. Këtë sezon, autoritetet e Serisë A kanë nisur hetimet për thirrjet raciste nga tifozët e Lazios dhe Napolit.
Magistro dhe Wack studiuan të dhënat për çdo ndeshje të Serisë A midis 2009 dhe 2021.
Hulumtimi tregoi se lojtarët me lëkurë të bardhë apo të çelur u gjykuan se kishin faulluar mesatarisht 21 herë gjatë një sezoni krahasuar me 25 për lojtarët me lëkurë të errët, të cilët morën mesatarisht 3.9 kartonë të verdhë dhe 0.22 kartonë të kuq në sezon, krahasuar me 3.5 të verdhë dhe 0.19 të kuq në sezon për të tjerët.
“Zbulimi ishte shqetësues, por ne po mendonim se ishte e mundur që nuk ishte tërësisht arbitri – është e mundur ndoshta zhurma që dëgjojnë nga tribuna”, tha Magistro.
Studimi gjithashtu zbuloi se lojtarët me lëkurë të errët kanë më pak gjasa të luajnë në mënyrë agresive, raporton Guardian.
“Ata në fakt luajnë më pak agresivisht, ndoshta duke e ditur se kanë më shumë gjasa të marrin sanksione”.
Magistro dhe Wack thanë se ishte shumë e mundshme që njëanshmëria të kishte ndikuar në rezultatet e lojërave dhe negociatave të pagave për lojtarët dhe thanë se UEFA duhet të konsiderojë zgjerimin e “procedurës me tre hapa” mbi thirrjet raciste nga tribuna dhe prezantimin e zyrtarëve që janë përgjegjës për monitorimin e turmave për ngacmime racore.
Studiuesit thanë se planifikojnë të ekzaminojnë liga të tjera evropiane.