Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka folur edhe për 1 shtatorin, datën ku pritet të hyjë në fuqi reciprociteti për targa.
Ai tha se fushata për konvertimin e targave nga regjimi i Millosheviqit tek ato legale të Kosovës do të vazhdojë deri më 31 tetor.
Kurti ka thënë se në rast se merr informacione nga Policia e Kosovës se pala serbe po vazhdon ende t’i lëshojë dokumentet për hyrje/dalje, atëherë edhe Kosova do të detyrohet që ta zbatojë vendimin e reciprocitetit.
“Nuk ka dokumente përcjellëse, pra vetëm tregohet karta e identitetit dhe do të duhej që qytetari i Kosovës kur kalon nëpër Serbi ta bëjë këtë lirisht pa marrë asnjë dokument tjetër. Njësoj kalon edhe ai i Serbisë, siç ka qenë edhe më herët realisht”, ka deklaruar i pari i Qeverisë.
“Për shkak se u vendos reciprociteti, nuk ka nevojë të japim dokumente. Nëse, teorikisht e rastësisht, Serbia vazhdon të lëshojë dokumente të tilla, atëherë detyrohemi që edhe ne, në bazë të parimit të reciprocitetit, ta vendosim edhe ne dokumentin e hyrje-daljes”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se deri më tani kanë ndarë 2 mijë e 679 dokumente për hyrje-dalje dhe se nuk beson “që do të ketë nevojë të ndahet dokumenti i 2680-të me radhë”.