Raportohet se Real Madridi po e konsideron ‘prishjen’ e kontratës së lojtarit që nuk ka luajtur asnjë ndeshje për klubin në pesë vitet e fundit.
Duke mos arritur ta fitojë asnjë trofe sezonin e kaluar, Reali ka bërë disa ndryshime në skuadër, duke nisur që nga trajneri. Ish-lojtari i Realit dhe ish-trajneri i Bayer Leverkusenit, Xabi Alonso e ka zëvendësuar Carlo Ancelottin, i cili u largua për të marrë drejtimin e Brazilit.
Real Madridi nënshkroi me Dean Huijsen, Trent Alexander-Arnold, Alvaro Carreras dhe Franco Mastantuono, derisa Luka Modric, Lucas Vazquez dhe Jesus Vallejo janë larguar nga klubi.
Mirëpo, sipas “AS”, Reali po e konsideron edhe largimin e lojtarit të katërt për këtë verë.
Në janar të vitit 2020, “Los Blancos” paguajtën 30 milionë euro për – asokohe – 18-vjeçarin Reinier Jesus nga Flamengo.
Edhe pse ai u paraqit disa herë për Real Madrid Castilla, Reinier nuk u paraqit asnjëherë për ekipin e parë të Realit në pesë vite e gjysmë, duke kaluar kohë në huazime të ndryshme, si në Borussia Dortmund, Girona, Frosinone dhe Granada.
Mesfushori, një herë e një kohë i vlerësuar “si një nga yjet në ardhje” të futbollit botëror, tani është 23-vjeçar dhe nuk ka arritur të gjejë një vend në ekipin e parë të Realit dhe tashmë është më afër largimit.
Raportohet se Alonso dhe ekipi i tij i trajnerëve nuk e shohin atë si pjesë e planeve të klubit për vitet në vazhdim.
Një raportim i fundit nga “MARCA”, thotë se lojtari është duke u përgatitur për sezonin e ri në Brazil, larg Realit, me një trajner fitnesi të besueshëm dhe një fizioterapeut.