Pas eliminimit të thellë 4-0 nga Paris Saint-Germain në gjysmëfinale të Kupës së Botës për Klube, Real Madridi tashmë ka hedhur sytë drejt sezonit të ri 2024/25.
Ishte një humbje që thelloi reflektimet për trajnerin Xabi Alonso, i cili do të ketë shumë për të analizuar në ndërtimin e skuadrës për sfidat e radhës.
Megjithatë, pavarësisht daljes nga gara para kohe, pjesëmarrja në këtë turne prestigjioz ka sjellë përfitime të mëdha financiare për “Los Blancos”. Real Madridi iu garantua një shumë prej 31.5 milionë eurosh vetëm për pjesëmarrjen, ndërsa në total arkëtoi 74 milionë euro, duke shkuar në një shifër totale prej 105.5 milionë eurosh.
Një fitore eventuale në finale do t’i kishte sjellë edhe 27.7 milionë euro shtesë, por kjo mbetet tashmë histori.
Kjo humbje e thellë ndaj PSG-së do të ketë ndikim edhe në përgatitjet verore të klubit. Trajneri Alonso kishte planifikuar një fazë përgatitore dyjavore pas pushimeve trejavore, por ka kërkuar ta zgjasë atë në tre javë. Megjithatë, La Liga ka refuzuar kërkesën për të shtyrë fillimin e sezonit, çka ka vënë në pikëpyetje planifikimin e detajuar të Real Madridit.
Një tjetër goditje për ekipin është mungesa e Jude Bellingham, i cili do të qëndrojë jashtë fushave për 3 deri në 4 muaj për shkak të një operacioni në shpatull, duke ndikuar ndjeshëm në planet taktike të Alonsos.
Sipas të përditshmes Marca, Real Madridi është në rrugën e duhur për të thyer një tjetër rekord financiar në sezonin 2025/26.
Klubi ka tejkaluar kufirin 1 miliard euro të të ardhurave në dy sezonet e fundit – 1.045 miliardë euro në 2023/24 dhe 1.1 miliardë në 2024/25 – dhe synon të arrijë në 1.3 miliardë euro në sezonin e ardhshëm.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre të ardhurave pritet të përdoren për investime në përforcime të skuadrës, duke i dhënë trajnerit Alonso mjetet e nevojshme për të ndërtuar një ekip konkurrues në të gjitha frontet.