Real Madridi thuhet se ka vendosur të mos bëjë ndonjë ofertë në janar për të nënshkruar me mbrojtësin e Liverpoolit Trent Alexander-Arnold.
Anglezi konsiderohet ndër mbrojtësit e krahut më të mirë në botë, por e ardhmja e tij në “Anfield” është në dyshime shkaku që kontrata i skadon në verë.
Kjo nënkupton se do të bëhet agjent i lirë në verë, ndërsa nuk ka raportime për ndonjë marrëveshje për rinovim. Në fakt, qysh në janar, Alexander-Arnold është i lirë që zyrtarisht të negociojë me skuadrat jashtë Anglisë.
Ishte spekuluar se Reali mund të bëjë ndonjë ofertë në janar shkaku që po vuajnë me mungesën e Dani Carvajal, mirëpo “The Telegraph” raporton se këto janë lajme të pavërteta. Sipas tyre, madrilenët kanë interesim për lojtarin, mirëpo një marrëveshje mund të realizohet vetëm nëse ai pranon t’i bashkohet klubit si agjent i lirë.
Reali nuk do t’i ndryshojë planet për t’i marrë lojtarët falas, duke pasur shembull Leny Yoron, i cili refuzoi të pret deri në vitin 2025 dhe iu bashkua Manchester Unitedit.
Megjithatë, Reali e ka një përparësi të madhe falë Jude Bellingham që është mik i ngushtë me Alexander-Arnold, me ish yllin e Dortmundit që vazhdimisht i flet lojtarit të Liverpoolit për jetën në Spanjë.
Përpos Alexander-Arnold, Reali po provon ta marrë falas edhe mbrojtësin e Bayern Munichut Alphonso Davies, kontrata e të cilit gjithashtu skadon në verën e 2025.