Gonzalo Garcia, një nga sulmuesit më premtues të Real Madridit, mund të largohet në formë huazimi gjatë afatit kalimtar të janarit.
21-vjeçari ka pasur hapësira shumë të kufizuara në skuadrën e parë këtë sezon, duke luajtur vetëm 90 minuta në katër javët e para të La Ligës, një shifër që nuk mjafton për një lojtar në fazë zhvillimi.
Pas paraqitjes mbresëlënëse në Kupën e Botës për Klube, ku shënoi katër gola në gjashtë ndeshje, pritshmëritë për të ishin të larta.
Megjithatë, konkurrenca e fortë në repartin ofensiv të Real Madridit e ka bërë të vështirë për të, të sigurojë një vend të rregullt në formacion.
Drejtuesit e klubit janë të vetëdijshëm për rëndësinë e minutave të lojës në këtë fazë të karrierës së tij dhe po shqyrtojnë mundësinë e një huazimi në janar.
Si destinacion i mundshëm po merren parasysh ekipe të kampionatit spanjoll që nuk janë ndër skuadrat më të forta, por edhe klube nga jashtë Spanjës, përfshirë disa skuadra të interesuara nga Liga Premier.
Prioriteti i Real Madridit është të gjejë një ambient ku Gonzalo Garcia, të ketë hapësirë të mjaftueshme për t’u rritur profesionalisht, pa rrezikuar të ngecë në stol siç ka ndodhur këtë fillim sezoni.
Klubi nuk ka ndërmend ta shesë lojtarin, pasi e konsideron një aset të rëndësishëm për të ardhmen.
Me afatin kalimtar të dimrit që po afrohet, vendimi për të ardhmen e Gonzalo Garcias do të jetë vendimtar.
Një huazim i duhur mund ta ndihmojë atë të rritet si lojtar dhe të kthehet te Real Madridi më i përgatitur për të luftuar për një vend në skuadër.