Real Madridi është i gatshëm të shqyrtojë shitjen e sulmuesit brazilian Rodrygo Goes gjatë kësaj vere, duke i vendosur atij një çmim prej 100 milionë eurosh, raportojnë mediat spanjolle.
Sipas gazetës AS, vendimi i “Los Blancos” vjen pas rolit të reduktuar të Rodrygos nën drejtimin e trajnerit të ri, Xabi Alonso. Kjo ka ngjallur interes nga klubet e Ligës Premier, ku Arsenali, Chelsea dhe Manchester City po monitorojnë situatën.
Rodrygo, i cili iu bashkua Realit nga Santos në vitin 2019, ka regjistruar 68 gola dhe 51 asistime në 270 paraqitje, por sezoni i fundit pa trofe dhe minutat e pakta në Kupën e Botës për Klube kanë shtuar dyshimet për të ardhmen e tij në “Santiago Bernabeu”
Burime të afërta me lojtarin thonë se pritet një takim vendimtar me trajnerin Alonso, ku Rodrygo do të kërkojë qartësi për rolin e tij. Braziliani është i hapur për një transferim, nëse nuk i garantohet hapësira si titullar.
Ndërkohë, Arsenali shihet si favoriti kryesor për të siguruar shërbimet e tij, por klubi londinez nuk është i gatshëm të paguajë tërë shumën prej 100 milionë eurosh, duke synuar të arrijë një marrëveshje më të ulët, rreth 80–90 milionë eurove