Real Madrid ka konfirmuar synimin e tyre për të kërkuar “dëmshpërblime të konsiderueshme” nga UEFA pas një vendimi të dhënë nga Gjykata Provinciale e Madridit.
Në një deklaratë zyrtare të publikuar në faqen e klubit, Real Madrid njoftoi se do të përpiqet të kërkojë kompensim për dëmet që, sipas tyre, u janë shkaktuar nga organizata drejtuese evropiane e futbollit, UEFA.
Ky njoftim vjen pas vendimit të Gjykatës Provinciale të Madridit për të rrëzuar apelimet e UEFA-s, Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) dhe La Ligës, të lidhura me përpjekjet e Real Madrid për krijimin e Superligës Evropiane.
Në vendim u përcaktua se UEFA kishte “shkelur seriozisht rregullat e Bashkimit Evropian për konkurrencën e lirë, në përputhje me vendimin e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, duke abuzuar me pozicionin e saj dominues”.
Për rrjedhojë, Real Madrid ka konfimuar se dera mbetet e hapur për të kërkuar kompensim për dëmet e shkaktuara nga veprimet e UEFA-s.
Florentino Perez
Në prill të vitit 2021, Real Madrid ishte një nga 12 klubet themeluese të projektit të Superligës Evropiane, së bashku me gjigantët e Premier League si Liverpool dhe Manchester United, si dhe rivalët historikë spanjollë, Barcelonën.
Presidenti i Real Madrid, Florentino Perez, ishte një nga figurat kryesore të këtij projekti dhe shprehu hapur zhgënjimin e tij pasi UEFA dhe FIFA e bllokuan iniciativën, kryesisht për shkak të reagimeve të ashpra që ajo shkaktoi në botën e futbollit.
Pas përfundimit të projektit të Superligës Evropiane, një vendim i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian në dhjetor 2023 konstatoi se UEFA dhe FIFA kishin shkelur ligjin e BE-së duke penguar këtë nismë.
UEFA, RFEF dhe La Liga apeluan vendimin, por deklarata e Real Madrid ka konfirmuar se këto apelime kanë dështuar./Telegrafi/







