Real Madridi s’është dorëzuar nga refuzimi i Liverpoolit dhe pritet të bëjë një ofertë të dytë për mbrojtësin Trent Alexander-Arnold.
Ylli anglez do të jetë agjent i lirë në verë, ngase ende s’ka arritur marrëveshje me Liverpoolin për rinovimin e kontratës, kësisoj Reali po tenton të përfitojë nga situata për ta sjellë në “Santiago Bernabeu” qysh në janar.
Në ditën e parë të afatit të janarit, Reali kontaktoi Liverpoolin për Alexander-Arnold, sidoqoftë diskutimet u mbyllën shpejtë shkaku që klubi anglez refuzoi të negocionte.
Megjithatë, “The Times” raporton se Reali po konsideron të bëjë edhe ofertën e dytë për mbrojtësin, me Carlo Ancelottin që po i bën presion klubit madrilen për ta kompletuar afrimin në këtë muaj.
Reali ndër të tjera thuhet se është gati të ofrojë 20 milionë funte për shërbimet e Alexander-Arnold, meqenëse këtij të fundit i skadon kontrata pas vetëm gjashtë muajve.
“Los Blancos” e humbën Dani Carvajalin për pjesën e mbetur të sezonit, i cili këputi ligamentin duke lënë vetëm Lucas Vazquezin në atë pozitë, ndërsa paraqitjet e këtij të fundit nuk kanë qenë në nivelin më të lartë, kësisoj Ancelotti është detyruar ta përdorë edhe Fede Valverden në atë pozitë.
Ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të parë nëse Liverpooli do të ndryshojë qëndrim sa i përket të ardhmes së nënkapitenit të tyre.