Gjigantët e La Ligas, Real Madrid, janë shumë pranë përfundimit të një marrëveshjeje për kushtet personale të kontratës me yllin e Bayern Munich, Dayot Upamecano.
Sipas ekspertit francez të futbollit, Santi Aouna, i cili këtë javë ka dhënë një përditësim mbi situatën, mbrojtësi francez është lidhur prej kohësh me një transferim drejt kryeqytetit spanjoll.
Kjo ndodh ndërkohë që kontrata e 27-vjeçarit me Bayern Munich skadon në verën e vitit 2026.
Në kërkim të përforcimeve në qendër të mbrojtjes, për shkak të largimeve të pritshme të David Alaba dhe Antonio Rüdiger, Real Madrid e ka identifikuar Upamecanon si objektivin kryesor.
Dhe, sipas raportimeve më të fundit të mediave, duket se “Los Blancos” janë shumë afër ta bëjnë të tyrin lojtarin francez.
“Real Madrid dhe Dayot Upamecano janë afër një marrëveshjeje verbale. Real Madrid aktualisht është në pozicionin më të favorshëm për të nënshkruar me përfaqësuesin e Francës”, ka raportuar Aouna.
Kujtojmë se Real Madridi gjithashtu është duke monitoruar me kujdes edhe dyshen Ibrahima Konate dhe Marc Guehi, të cilët po ashtu do të mbesin lojtarë të lirë në fund të sezonit.






